E ftuar në një studio televizive, deputetja Elisa Spiropali deklaroi se qeveria është e gatshme për të shkuar te studentët ose këta të fundit të vijnë për të dialoguar me qeverinë, për zgjidhjen e problematikave si dhe për të përmirësuar nivelin e arsimit të lartë në vend.
“Gati për të dialoguar për çdo gjë dhe për të ngritur nivelin e arsimit të lartë në Shqipëri. Revolta buron nga dëshira për arsim më të mirë dhe për të dalë nga gjendja ku janë familjet e tyre, por ka zëra që i rezistojnë këtij dialogu sy më sy. Ne kemi shtrirë çdo urë të mundshme komunikimi, ndryshe nga qeveria e mëparshme që hymë në grevë urie dhe e bënë veshin e shurdhër. Ne jemi gati që bashkë me studentët të bëjmë të mundur shkuljen e çdo lloj nepotizmi dhe bajraktarizmi nga universitetet”, – deklaroi Spiropali.
Duke u ndalur te qëndrimet e partive politike për protestën, Spiropali u shpreh se “partitë që derdhin “lotë krokodili, duan t’i përdorin studentët”.
Sipas Spiropalit, reformës për Arsimin e Lartë i duhet lënë pak kohë fizike, pasi kjo e fundit nuk mund të finalizohet dhe të japë rezultatet e duhura në harkun kohorë të tre viteve, pasi gjendja e arsimit të trashëguar nga qeveria paraardhëse sipas saj, ka qenë në gjendje mjerane.
“Sot, partitë që dalin e derdhin lotë krokodili për ata studentë, duan t’i përdorin studentët. Interesohuni se si kontrollohet senati dhe aty nuk është Partia Socialiste. Faji është i akumuluar për Arsimin e Lartë, kemi bërë ndryshime të rëndësishme, por reforma duhet të shkojë më tutje dhe më thellë. Ka fonde që shkojnë drejt universiteteve, por mbeten aty dhe nuk përkthehen në cilësi shkollimi për studentët. Studentët po shihen si bankomat dhe qeveria po shihet si burim fondesh. Reforma e Arsimit të Lartë ka nisur në vitin 2015 dhe nuk bëhet për 2-3 vite. Kemi të rinj që kanë dalë nga një sistem arsimor me dyer të shqyera. Unë nuk dua të vë faj, por njerëzit e bëjnë dallimin se kush nuk e ka patur seriozisht arsimin dhe kush po bën kthesën”, shtoi Spiropali.
/a.r