Autoritetet shqiptare në pikën kufitare të Kakavijës kanë ndaluar hyrjen e një gazetari grek. Ai është Panajotis Savidis, gazetar i ‘ProtoThema’. Mësohet se gazetari ka tentuar të futet në territorin shqiptar për të mbuluar nesër ceremoninë përkujtimore të ekstremistit Kostandin Kacifas në fshatin Bularat.
Kacifas mbush nesër 40 ditë nga vrasja. Policia shqiptare e ka marrë në pyetje gazetarin dhe më pas i ka shpjeguar se ai është person i padëshiruar për të hyrë në vendin tonë. Gazetarit i është dhënë edhe një dokument për këtë vendim të autoriteteve shqiptare. Më pas ai ka shkruar në Facebook i habitur se si mund të ndodhin gjëra të tilla në një vend europian.
Në fakt pyetje të tillë e kemi shtruar shpesh edhe ne në median shqiptare, por duke sjell në vëmendje rastin e gazetarit Marin Mema, i cili është shpallur non-grata nga autoritetet greke dhe s’i lejohet hyrja në atë shtet. Si ka mundësi të ndodhin këto në një vend anëtar të BE-së si Greqia?! (Lapsi.al)/a.meta