Prej rreth 50 vitesh, studiuesit janë përpjekur për të krijuar një vaksinë kundër kancerit, por deri para pak kohësh nuk kanë mundur të provojnë se sa një e tillë do të ishte efektive. Tashmë, një ekip studiuesish në Institutin për Kërkime Imunologjike dhe Kancerin në Universitetin e Montrealit, në Kanada, ka arritur të provojë se një vaksinë e tillë mund ta parandalojë kancerin.
Studimet e mëparshme kanë treguar se limfocitet T janë në gjendje të njohin dhe të depërtojnë te qelizat e kancerit, në mënyrë që t’i sulmojnë ato.
Limfocitet T i njohin tumoret nga prania e antigjeneve të huaja – ose peptideve – në sipërfaqen e qelizave. Megjithatë, edhe nëse këto antigjene njihen nga sistemi imunitar, ato nuk e stimulojnë atë mjaftueshëm në mënyrë që limfocitet t’i targetojnë dhe t’i shkatërrojnë.
Si e tillë, kërkimi i një vaksine është përqendruar në identifikimin e antigjeneve specifike të tumorit, që ta lejojë sistemin imunitar t’i sulmojë ato në mënyrë më efektive. Meqenëse këto antigjene janë rezultat i gjeneve të dëmtuara, ekipet e ndryshme kërkimore kanë ndjekur fajtorët në pjesën e ADN-së që është përgjegjëse për të kodimin e antigjeneve dhe proteinave. Por kjo nuk ka pasur sukses.
“Pjesa koduese e ADN-së përbën vetëm 2 për qind të gjenomit njerëzor”, shpjegojnë studiuesit, të cilët e kanë fokusuar punën e tyre te 98 për qind e ADN-së së qelizave njerëzore.
Një vaksinë efektive
Eksperimenti me minj, të cilëve u ishin injektuar lloje të ndryshme të qelizave të kancerit, arriti të identifikonte antigjenet e shumta që rrjedhin nga pjesa jokoduese e ADN-së, disa prej të cilave ishin specifike për qelizat e kancerit. Kjo u bëri të mundur studiuesve të zhvillonin një vaksinë të bazuar në qelizat e leuçemisë, që përmbante disa prej antigjeneve të identifikuara. Rezultatet ishin shumë inkurajuese.
“Çdo antigjen që kemi testuar eliminoi 10 deri 100 për qind të leuçemisë”, tregojnë studiuesit, duke shtuar se disa prej antigjeneve kanë mbrojtur miun për gjithë jetën, pavarësisht injektimit për së dyti të qelizave të reja të leuçemisë, gjë që sugjeron një efekt afatgjatë.
Një vaksinë e tillë mund të rezultojë premtuese në parandalimin e leuçemisë dhe kancerit të mushkërive. Fakti që kjo lloj vaksine rezultoi efektive për leuçeminë dhe kancerin e mushkërive i bën mjekët optimistë edhe për format e tjera të kancerit, të cilat qëndrojnë në segmentin mes këtyre të dyjave.
Një nga pengesat për ta zhvilluar menjëherë këtë vaksinë edhe për njerëzit është diversiteti gjenetik që ne kemi me minjtë. Por studiuesit janë optimistë se brenda tre vitesh, vaksina do të nisë të testohet edhe te njerëzit./a.meta