Nga Andrea Danglli
Sado që mundohen ta ndyjnë, protesta studentore deri tani rrjedh si sorum për arsimin e shtrirë për tokë, i cili ndër vite ofshamë pas ofshame, u mëshirua, nënvlerësua dhe poshtërua.
Në këtë pikë ku ka mbërritur organizimi, s’ka nevojë për analiza që t’u japim mend, të tregojmë se mes tyre ka militantë partiakë apo të mbështesim kauzën për llogari të ndonjë selie partiake dhe O(J)F-je (fitimprurëse).
Edhe pse secila forcë, të vëna në garë po përpiqen të gërmojë tunele për të shkuar para Ministrisë së Arsimit, njerëzit e tyre kanë kohë që nuk i shërbejnë më të rinjve.
Disa shkojnë aty fizikisht, ca përmes daljeve televizive dhe një pjesë përzihen me turmën prej rrjeteve sociale. Qesharake! Ndryshe nga sa i shohim t’u këputet zemra, ata ndajnë të tjera interesa në tunelet e tyre të nëndheshme ku diku bëhen llogari përçarëse, në një vend tjetër nxitëse apo provokuese dhe në qarqe të ndryshme kalkulime për të përfituar ndonjë kredit nga rezultatet e kësaj iniciative shembullore.
S’dua të hedh asnjë rresht nëse është fuqizuar apo shfuqizuar VKM për tarifat e krediteve pasi është elementre të merremi me të, kur kemi një arsim pa dije, të braktisur, të korruptuar, pa prespektivë, të mbytur nga injoranca pedagogjike, të shfrytëzuar politikisht, të fryrë nga tekstet dhe të shndërruar në bordello profesorësh që lypin çaste erotike në këmbim të notës.
Nuk ka në botë avokaturë që të justifikojë këtë masakër akademike dhe terror elitash në Shqipëri që i ka dhënë botës arsimore një pamje aq të pështirë sa të vjen turp ta quash veten student. Jemi koshjentë që ky zinxhir protestash nuk do të transformojë 360 gradë sistemin arsimor, por ama e sigurt që do të lëvizë nga vendi kolltukët e njerëzve që e kanë sjellë në këtë gjendje.
Si po shihet protesta?
-Nëse e sheh si student idealist, kjo revoltë e brendshme është një shuplakë për forcat politike që mëtojnë propagandën se diploma e vlefshme për punësim dhe karrierë është ndonjë tester partie dhe intershipi në forumët e tyre.
-Nëse e sheh si qytetar i thjeshtë, kjo protestë i bën mirë edhe hallkave të tjerë të shoqërisë pasi mekanizmat e pushtetit kanë ngrirë nga arroganca duke i shndërruar institucionet shtetërore në biznese familjare.
-Nëse e sheh si politikan pasiv, ky është një model proteste i pa realizuar gjatë dy dekadave të fundit. Në tentativat e kryera kemi parë që organizimet partiake janë shoqëruar me kosto të larta njerëzore, dëme të mëdha materiale dhe gropa financiare.
-Nëse e sheh si politikan aktiv, kjo protestë ka nevojë për përplasje, agresivitet, zjarr, tym dhe gjak. Në këtë mënyrë njëra palë do ta shfrytëzojë për të shigjetuar akuza dhune dhe pala tjetër për të nxjerrë mburoja viktimizimi se mësynë në institucione vandalët.
-Nëse e sheh si qeveritar, në fillim i nënvlerëson duke i konsideruar si “rebelim ngelsash” dhe pastaj kur përmasat zgjerohen, sheh se si duhet gjetur leva përkatëse për të shuar sa më shpejt vrullin e protestës. Në këtë rast vetëofrohen njerëzit që mund të përdoren si “Kalë Troje” për të hyrë brenda bashkësisë studentore. Zgjidhje problematikash pak kush mendon.
-Nëse e sheh si opozitar, rezultatet e protestave duhen kalkuluar politikisht si fitore në llogari të forcave të tyre. Edhe pse mes kërkesave studentët kanë kërkuar “Jo politikë”, nëpër studio televizive dhe rrjete sociale janë shpërndarë aktorët përkatës për të marrë flamurin e protestës që nuk u takon atyre pasi kauzat kanë vluar prej vitesh dhe askush nuk ka folur për to.
A ka një zgjidhje?
Pikat e kërkesës që ka mbi tryezë ministria Lindita Nikolla, s’janë plotësisht të mjaftyeshme për të zgjidhur gjendjen. Nuk mjafton veç ulja e tarifave për t’i kthyer dinjitetin studentit që ende trajtohet si numër matrikullimi dhe jo si e nesërmja e vendit.
Studenti duhet të ketë status të posaçëm, shpërblim në bazë të rezultateve, kompesim të pagesave, ndihmë financiare, kushte studimore dhe jetese, konvikte dinjitoze, vetting pedagogjik të thelluar, shërbime bazike falas, biblioteka të pasura, qendra aktive kërkimore, pjesëmarrje të lartë vendimmarrëse në menaxhimin e universitetit, këshillues karriere dhe vende pune të siguruara pas përfundimit të ciklit arsimor.
Garantimi i tërësisë së tyre nuk fabrikon më diploma si letra ambalazhi, por përgatit bazat e Shqipërisë së nesërme shumë më dinjitoze se kjo që kemi sot. Deri në plotësimin e tyre, me të drejtë duhet të vazhdojmë të thërrasim: “Duam arsim edhe dije, jo pallavra qeverie…”