Vrasja e shqiptarëve në Greqi është bërë një ndër temat më të diskutuara së fundmi në vendin tonë, kjo edhe prej faktit që vetëm në harkun kohor të një muaji humbën jetën 4 shtetas shqiptarë në Greqi.
Që pas vrasjes së minoritarit Konstandin Kaçifas në Bularat, në Greqi është vrarë Altin Mullai nga policia greke, Petrit Zifle nga një anëtar i Agimit të Artë dhe Marios Isa me një plumb në gjoks po në Greqi ndërsa një 35-vjeçar u gjet i pajetë në burgun e Trikalasë, shkaqet e vdekjes të të cilit ende nuk dihen.
Këta janë vetëm viktimat e fundit, por në total janë mbi 170 shqiptarë janë vrarë në Greqi nga policia, ushtria dhe gardianët e burgut dhe si duket kjo është një arsye e mjaftueshme për të protestuar. Për këtë qëllim shoqatat atdhetare kanë nisur organizimin në rrjetet sociale, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e tubimit të shtunën në orën 11:00 përpara bustit të Çerçiz Topullit. Nisja nga Tirana do të bëhet në orën 04:30 minuta nga sheshi “Nënë Tereza” dhe udhëtimi do të jetë falas.
Ftesa në rrjetet sociale nga një prej shoqatave atdhetare
Ndërkaq, vlen të theksohet se paralelisht, po të shtunën, do të zhvillohet në Bularat ceremonia për të 40-at e minoritarit Konstadin Kaçifa, ku pritet të marrin pjesë qytetarë të ardhur me autobusë nga Greqia. Nga ana tjetër, policia ka marrë masa për ndalimin e hyrjes në territorin shqiptar të elementëve ekstremistë nga Greqia duke blinduar kufirin me forca të anti-terrorit.