Futbolli shqiptar jeton prej vitesh në informalitet të plotë dhe tashmë është në gjendje kolapsi pasi FSHF ka mbyllur sytë përballë shkeljeve të panumërta që kanë bërë klubet, duke i licencuar pa asnjë lloj kriteri për pjesëmarrjen e tyre në kampionate edhe pse nuk përmbushin kushtet e licencimit pasi kanë detyrime ndaj palëve të treta apo shfaqen debitorë në tatime.
Drejtoria e Tatimeve ka publikuar në tetor listën e debitorëve ndaj saj, dhe u ka bllokuar llogaritë të paktën 20 klubeve mes Kategorisë Superiore, të Parë, të Dytë, apo të regjistruar si akademi.
ështu, rezulton se Kategoria Superiore është në “gropë”, pasi gjysma e skuadrave aktualisht kanë llogaritë e bllokuara. Kjo do të thotë se në teori nuk mund të bëjnë as pagesa ndaj lojtarëve, pasi përndryshe mund të dënoheshin për evazion fiskal. Përveç Tiranës, në këtë listë të zezë janë edhe Flamurtari, Luftëtari, Kastrioti e Kamza.
Të gjithë këta klube janë në thyerje të plotë të rregullores së FSHF-së dhe nëse ajo do të zbatohej, ndaj tyre do të fillonin procedimet disiplinore të cilat fillojnë nga heqja e pikëve e deri me rënien nga kategoria për mospërmbushje të kritereve të administrimit financiar. Po ashtu, në listë figurojnë edhe thuajse gjysma e klubeve të Kategorisë së Parë, e për më tepër, ata të cilat pretendojnë ngjitjen në Superiore.
Në teori, asnjë prej tyre nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa zgjidhur problemet me tatimet, sipas rregulloreve të reja të cilat i imponohen këtë vit nga UEFA, e cila po monitoron nga afër FSHF-në. Në një shkallë kaq të gjerë klubesh problematike, futbolli shqiptar duket shumë pranë kolapsit, pasi sigurisht që problemet financiare do të ndikojnë edhe garën sportive për shumë prej tyre. (vipsport)a.meta