Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, me bashkëkryetar Bledi Çuçin nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashin nga Partia Demokratike, ka ndërprerë prej muajsh punën, duke dështuar që të dalin me një Kod të ri Zgjedhor deri tani.
Në një kohë që opozita publikisht ka vënë mure për çdo bashkëpunim, kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se është optimist për të miratuar draftin e përbashkët me opozitën para Krishtlindjeve.
Ndërkohë që data e zgjedhjeve lokale është dekretuar më 30 qershor 2019, ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, shprehet për gazetarin e TemA Tv Mariglen Kume, se që zgjedhjet të jenë me standarde, kodi i ri duhet të ishte gati një vit para.
“Standardet për një proces zgjedhor të lirë, të drejtë e të ndershëm kërkojnë që ligji i zgjedhjeve të jetë në fuqi të paktën një vit para datës së zgjedhjeve. Ne e kemi gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo është një traditë që në Shqipëri kështu ka ekzistuar”, shprehet ai.
Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, në një kohë kur opozita ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje, ajo duhej të ishte në Parlament, në mënyrë që të japë kontributin e saj për organizimin e zgjedhjeve.
“Opozita ka arsyet e veta dhe secili mund të japë opinionin e tij se përse opozita nuk merr pjesë, është mirë apo është keq. Fakt është ky, që mospjesëmarrja e opozitës nuk është një kontribut pozitiv për procesin zgjedhor dhe për reformën”, thotë Celibashi.
Ish-kreu i KQZ-së foli edhe për propozimin e Partisë Demokratike për votimin dhe numërimin elektronik. Sipas tij, të besosh se vjedhja shmanget me përdorimin e teknologjisë është naive.
“Si kërkesa për të aplikuar teknologjinë, si dhe refuzimi për ta përdorur teknologjinë, janë dy qasje që nuk janë thelbvësore për standardin e procesit zgjedhor. Duhet parë se sa e mundur dhe çfarë përfitimesh na siguron përdorimi i teknologjisë në zgjedhje. Nëse mendojmë se duke përdorur teknologjinë, do të eliminojmë çdo problem që ka të bëjë me zgjedhjet në Shqipëri, kjo është një qasje e gabuar, komplet naive”. TemA/a.meta