Lulzim Berisha është përballur sot në proces gjyqësor, me personin që vite më parë ka tentuar ta vrasë. I shoqëruar nga avokati mbrojtës, Detar Hysi, Lulzim Berisha u paraqit në sallën e gjyqit në procesin ndaj 35 vjeçarit Ahmet Ajeti i akuzuar si organizator i atentatit ndaj tij. Në këtë seancë Berisha nuk ka pranuar të dëshmojë me pretendimin se vjen si i dëmtuar në proces.
Ahmet Ajeti akuzohet se në vitin 2005 ka bërë një atentat për vrasjen e Lulzim Berishës. Ajeti është dënuar në mungesë me 20 vjet burg për tentativë vrasje dhe u ekstradua nga Lipjani i Kosovës, në Shqipëri 4 muaj më parë. Pas ekstradimit, Ajeti kërkoi rihapjen e çështjes, dhe rishqyrtimin e dosjes në prani të tij.
Procet gjyqësore kanë dështuar disa herë te Krimet e Rënda për shkak të mosparaqitjes së Lulzim Berishës. “Më 30 gusht të 2005 Ahmet Ajeti dhe O. K., të porositur nga E. D., dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej Berisha, Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën ku dhe është vetëplagosur. Ajeti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 07.03.2016, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin nr. 01 datë 16.01.2012, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Ajeti nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai ka qenë pjesë e bandës së Endrit Dokles e Adriatik Colit. Pretendohet se është paguar me 80 mijë euro në vitin 2005 për të vrarë Lulzim Berishën./a.çupaj