“Fatmirësisht, historia, ngjarjet dhe figurat e saj nuk zhbëhen e ribëhen sipas vullneteve e humoreve të njerëzve në pushtet.Çfarë është objektive mbetet objektive, edhe pse e vërteta mbi të, e cila nuk është kurrë e plotë e përfundimtare, mund të ndriçohet, të sqarohet e të plotësohet më tej, në dritën e fakteve të reja. Dëshiroj të shtoj me këtë rast edhe diçka tjetër, një mendim që e ngacmoi tek unë një bisedë këto ditë me Moikom Zeqon: Edhe vetë lufta e popullit kosovar për t’u çliruar nga zgjedha sërbe duhet vlerësuar në vazhdën etraditës antifashiste të popullit shqiptar” – thotë në këtë intervistë për DITA, profesor Fatos Tarifa.
Më poshtë, intervista e plotë botuar sot në DITA:
Erion Habilaj: Prof. Tarifa, polemika juaj me kryeministrin Rama disa ditë më parë bëri përshtypje dhe u komentua gjerësisht. Në një studio të televizionit RTSH, gazetari që drejtonte emisionin, Lorenc Vangjeli, e pyeti zotin Rama, i ftuar në emision, se çfarëmendonte ai për reagimin tuaj ndaj vlerësimit për Mith’hat Frashërin dhe kryeministri u përgjigj duke thënë, pak a shumë se “për të ardhmen [e Shqipërisë] unë jam me Mit’hat Frashërin, jo me Sevo Tarifën”. Si do e komentonit ju këtë vlerësim të kryeministrit?
Fatos Tarifa: I dashur Erion, së pari, më lejoni të sqaroj se, reagimi im në këtë gazetë nuk ishte një polemikë me Edi Ramën. Më 21 nëntor, ju botuat intervistën që më morët me atë rast, nën titullin “Lufta e Madhe dhe fitimtarët e saj”, në të cilën argumentova pikëpamjet e mia lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj figurave më të rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë, si vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Fan Noli etj.
Mit’hat Frashëri jovetëm që nuk nuk bën pjesë ndër këto figura, pos as nuk u atyre për nga meritat dhe kontributet. Të nesërmen, më 22 nëntor, kryeministri Rama reagoi në këtë gazetë me një letër të gjatë, e cila me drejtohej mua personalisht, por që, nga titulli i saj, “Përgjigje të prekurve nga fjalimi im për Mit’hatin”, linte të kuptohej se i adresohej një grupi më të gjerë njerëzish, pra jo vetëm mua dhe babait tim të respektuar (të respektuar edhe nga vetë z. Rama).
Reagimi im një ditë më vonë, më 23 nëntor, ishte thjesht një përgjigje ndaj letrës së kryeministrit, por jonjë polemikë me të. Letra publike e kryeministritmë obligonte që t’i përgjigjesha publikisht.Veçse përgjigjja ime nuk merrej thjesht me çështjen e Mit’hat Frashërit, por trajtonte një çështje shumë më të gjerë, që ka të bëjë me qasjen emancipuese ndaj historisë, trajtuar nga këndvështrimi i një studiuesi të jetës shoqërore.
Habilaj: Sidoqoftë, kryeministri Rama, një ditë më vonë, siç vura në dukje më sipër, reagoi në një mënyrë që lë të kuptohet se ai u qëndron pikëpamjeve të veta, kur, edhe pse pa ju përmendur me emër as ju, as babanë tuaj, u shpreh se për të ardhmene Shqipërisëai është“me Mit’hat Frashërin, jo me Sevo Tarifën”.
Tarifa: Nuk e kam parë emisionin për të cilin flisni ju, por nga miqtë e mi mësova për të. Përgjithësisht nuk shoh më emisione të kësaj natyre dhe mendoj se është nën dinjitetin e një kryeministri që të shkojë kaq shpesh në studiot e televizioneve tona e të përballet me gjuhën dhe sjelljen shumë herë banale të disa prej gazetarëve tanë.
Për një kryeministër duhet të flasë zëdhënësi zyrtar i tij (nëse ka një spokesman, ose spokesperson të tillë)dhe, rrallë—por rregullisht—kryeministri lipset të flasë për përfaqësuesit e akredituar të mediave në selinë e qeverisë, për çështje të politikës së ditës, të veprimtarisë së qeverisë dhe të qëndrimeve të saj për probleme të rëndësishme të politikës kombëtare e ndërkombëtare.
Kjo jo vetëm është dinjitoze, por edhe një praktikë e njohur kudo. Sidoqoftë, është e drejta e tij të mbajë me mediat atë raport që dëshiron. Nuk më takon mua ta këshilloj në këtë pikë.
Përsa i përket pyetjes suaj mbi atë që z. Rama tha disa ditë më parë, se për të ardhmen e Shqipërisë ai është “me Mit’hat Frashërin, jo me Sevo Tarifën”, këtë pyetje, ndoshta do të ishte dashur t’ia kishit bërë Sevo Tarifës, jo mua.Megjithatë, si djali i Sevos, unë, sigurisht, e kam një përgjigje. Dhe kjo përgjigje është: Lufta e Dytë Botërore i dalloi dhe i ndau qartazi ato forca politike që shihnin drejt së ardhmes, një të ardhmeje objektive progresiste, dhe ato forca politike që nuk ishin në gjendje ta kuptonin, ose nuk e dëshiruan këtë të ardhme.
Sevo Tarifa, në atë kohë një djalosh fare i ri, me instiktin e shumicës së shqiptarëve, me po atë instikt të Qemal Stafës e të Vojo Kushit, të Nako Spiros e të pjesës më të madhe të brezit të ri të Shqipërisë dhe me po atë instikt dhe vetdije që i orientoi e i udhëhoqi popujt e tjerë europianë dhe popujt e botës, nga Lindja në Perëndim, u radhit në krahun e duhur të lëvizjes historike, si pjesëtar i lëvizjes antifashiste botërore. Mit’hat Fradhëri, u pozicionua në krahun e kundërt, që shihte jo drejt së ardhmes, duke bashkëpunuar me forcat më regresive të kohës, që synonin sundimin global të një regjimi fashist.
Të mos harrojmë një gjë shumë të rëndësishme. Jashtëzakonisht të rëndësishme. Pjesëmarrja e popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore në krahun e aleatëve të mëdhenj antifashistëjo vetëm e rreshtoi vendin tonë në krahun e fitimtarëve, por edhe shënoi fillimin e një tradite antifashiste në Shqipëri, e cila është ndër traditat më të vyera të popullit tonë. Kjo traditë ruhet ende e gjallë dhe duhet ruajtur si një gjë e shtrenjtë, që na nderon në sytë e botës, por edhe në sytë e brezave që do të vijnë pas nesh. Më thoni, ju lutem, cilët shqiptarë duhet të ndihen sot krenarë: ata, prindërit ose gjyshërit e të cilëve luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve fashistë e nazistë, apo ata, të parët e të cilëve bashkëpunuan me ata pushtues?
Fatmirësisht, historia, ngjarjet dhe figurat e saj nuk zhbëhen e ribëhen sipas vullneteve e humoreve të njerëzve në pushtet.Çfarë është objektive mbetet objektive, edhe pse e vërteta mbi të, e cila nuk është kurrë e plotë e përfundimtare, mund të ndriçohet, të sqarohet e të plotësohet më tej, në dritën e fakteve të reja. Dëshiroj të shtoj me këtë rast edhe diçka tjetër, një mendim që e ngacmoi tek unë një bisedë këto ditë me Moikom Zeqon: Edhe vetë lufta e popullit kosovar për t’u çliruar nga zgjedha sërbe duhet vlerësuar në vazhdën etraditës antifashiste të popullit shqiptar.
Habilaj: Sigurisht, por z. Rama, në atë studio televizive, foli për të ardhmen, duke lënë të nënkuptohet, se ndërsa babai juaj, edhe pse një veteran i nderuar i Luftës, me mendësinë dhe përvojën e tij jetësore në regjimin e socializmit shtetëror, i përket së shkuarës, idetë anti-komuniste të Mit’hat Frashërit do të ishin sot një orientim më i mirë drejt së ardhmes.
Tarifa: Ju thashë se nuk e kam dëgjuar kryeministrin Rama në atë emision televiziv por, nëse domethënia e fjalëve të tij është kjo që thoni ju, mendoj se është shprehur gabim. Unë njoh mjaft moshatarë të Sevo Tarifës, disa prej të cilëve partizanë dhe komunistë të orëve të para, të cilët, me ndryshimin e sistemit politik ndryshuan edhe vetë brenda natës, sa hap e mbyll sytë, sikur gjatë gjithë jetëssë tyre, duke i shërbyer socializmit shtetëror si nëpunës të lartë ose ideologë të tij, mezi kishin pritur ta shanin e ta mallkonin atë sistem si burimin e të gjitha të këqijave mbi tokë.
Këtë nuk e bënë ngaqë e kuptuan se kishin qenë gabim, ose të verbuar tërë jetën e tyre dhe tani, syçelur, mendjehapur e të çliruar nga frika, dëshironin t’i kontribuonin krijimit të demokracisë.Shumica e tyre vepruan në këtë mënyrë nga paburrëria, nga dobësia e karakterit të tyre, nga frika për të kritikuar shtetin post-komunist, e cila është thuajse e njëjtë me frikën e tyre e djeshme për të kritikuar shtetin komunist.
Im atë nuk veproi kështu. Një bindje e thellë në atë ideal për të cilin kishte luftuar e punuar me devocion e ndershmëri tërë jetën e tij dhe një prirje e brendshme (që më pare e quajta instikt) dhe që e gjejmë zakonisht te njerëzit me karakter të qëndrueshëm, bënë që ai, ashtu si dhe shumë të tjerë, të pranonte me stoicizëm të admirueshëm dështimin e ëndrrës së tyre të bukur rinore dhe dhimbjen e humbjes, në vend që të bëheshin kritizerë vulgarë e të pabesueshëm të sistemit të vjetër, ose, edhe më keq, sahanlëpirës të një pushteti të ri autoritarist, si ai që krijoi Sali Berisha.
Kjo nuk do të thotë aspak se im atë ka mbetur prapa kohës dhe nuk ka reflektuar aspak për të kaluarën. Ai e ka bërë këtë, madje çdo ditë e më shumë reflekton, nxjerr “mësime”, u gjen shpjegim dhe u jep përgjigje një sërë pyetjesh e dilemash që e kanë shqetësuar me kohë, duke u dhënë kuptim—për veten e tij, në radhë të parë, por edhe për të tjerë—mjaft ngjarjeve e dukurive të së shkuarës.
Sevo Tarifa është i hapur ndaj së resë, kritik ndaj zhvillimeve që nuk i pëlqejnë, por edhe tolerant ndaj atyre që mendojnë ndryshe.Ai nuk aderon në “Enverizëm”.Të ardhmen e Shqipërisë ai nuk e sheh te kthimi në të kaluarën, edhe pse idealet e tij sociale ishin të lidhura me një sistem që tashmë nuk ekziston më.
Ajo çka përbën preokupimin e tij shoqëror kryesor sot është trajtimi dinjitoz, mirëqenia materiale e psikologjike e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, radhët e të cilëve pakësohen nga viti në vit, si dhe veprimtaria e organizatës së tyre në përkujtim të ngjarjeve heroike madhore të Luftës dhe dëshmorëve të saj. Natyrisht, mirëqenia e familjes së vet, veçanërisht e shtatë nipërve e mbesave dhe e nëntë stërnipërve e stërmbesave që e rrethojnë, të cilët i sjellin kaq shumë gëzim tani që ka hyrë në dekadën e dhjetë të jetës së vet, mbetet preokupimi kryesor i jetës së tij.
Sevo Tarifa është edhe sot shumë më i përparuar se çdo të kish qenë Mit’hat Frashëri, nëse ai do të ishte gjallë, dhe ka çdo të drejtë të jetë krenar për kauzën për të cilën e vuri në rrezik jetën e tij, kur ishte 16 vjeç, dhe për gjithçka të mirë e me vlerë që ka bërë për këtë vend gjatë gjithë jetës së tij.E ardhmja nuk do të ishte më e mirë nëse do të frymëzoheshim nga jeta dhe bëmat e atyre që nuk e kuptuan të ardhmen dhe bashkëpunuan me pushtuesit dhe vrasësit e popullit të tyre. Edhe nëse ka ende njerëz, që bashkëpunimin me fashizmin dhe nazizmin përpiqen ta justifikojnë e ta legjitimojnë në emër të anti-komunizmit, argumenti i tyre është tërësisht antihistorik dhe i palogjikshëm.Si i tillë, ai nuk mund t’i qëndrojë dot mendimit racional kritik, të vërtetës historike dhe, prandaj, nuk duhet marë shumë seriozisht.
Habilaj: Ju falenderoj, profesor. Nëse më lejoni, dua të shfrytëzoj rastin t’ju bëj disa pyetje që nuk kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj Mit’hat Frashërit, por me figura të rëndësishme të jetës politike aktuale në vendin tonë.
Tarifa: Edhe pse nuk më pëlqen të flas për njerëz të tjerë, mund të më pyesni, pse jo?
Habilaj: Si do ta përshkruanit zotin Rama si politikan,sidomos në cilësinë e tij si kryeministër i vendit?
Tarifa: Një politikan i vetbërë, pasionant dhe, unë besoj, i sinqertë në bindjet dhe në veprimet e tij.Ka njerëz që i vënë në dyshim bindjet e tij, ose janë të pasigurt nëse kryeministri ka bindje të qarta. Unë besoj se ai ka bindje të qarta, një pjesë të të cilave unë i ndaj me të, por jo të gjitha. Z. Rama ka folur shumë për qeverisje në ekip, por unë vë re se është ai vetë që merret thuasje me çdo gjë dhe kjo, edhe pse nuk mund të thuhet se është një metodëlaissez-faire, nuk mendoj se është metoda më e mirë e qeverisjes. Disa kohë më parë, në një intervistë që kam dhënë po për këtë gazetë, e kam cilësuar kryeministrin Rama si “një politikan estet, i një prerjeje të veçantë, vizionar dhe reformator” dhe jam shprehur se, nëse do të kisha dëshirë të lexoja një libër prej tij, ky libër do të doja të fliste për Estetikën e Politikës. Këtij mendimi i përmbahem edhe sot.
Habilaj: Kreun e shtetit, Presidentin Meta, e keni cilësuar si “një politikan par excellence”.
Tarifa: Po, dhe i qëndroj këtij cilësimi.
Habilaj: Zotin Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, e keni cilësuar si një njeri “i ditur, vizionar, i talentuar në komunikim me publikun dhe shumë punëtor”.
Tarifa: Po, dhe kam thënë, gjithashtu, se është një fat i mirë për Tiranën që e zgjodhi z. Veliaj kryetarin e Bashkisë së saj. Me këtë rast, dua të shtoj se, me të në krye të Bashkisë, Tirana është bërë e po bëhet një kryeqytetpërherë e më i pastërt, përditë e më i bukur.
Habilaj: Dhe Sali Berisha? Ju njiheni si një ndër kritikuesit më të rreptë të tij. Dikure keni krahasuar atë me diktatorin e Venezuelës, Hugo Chavez, duke vënë në dukjse se, në dallim nga Chavez, Berisha u bë një president dhe një kryeministër autoritarist edhe pse nuk kishte naftë (Authoritarianism without Oil).Po në këtë gazetë, ju e keni e cilësuar Berishën si “një fatkeqësi kombëtare”.
Tarifa: Unë nuk jam kundërshtari i vetëm dhe as kritikuesi më i ashpër i Sali Berishës. Por, është e vërtetë, i kam kundërshtuar dhe kritikuar publikisht ashpër politikat e tij qysh nga viti 1992, si kur kam jetuar në Shqipëri, ashtu edhe kur kam jetuar e punuar jashtë vendit.Është e vërtetë se Sali Berishën e kamquajtur një fatkeqësi kombëtare dhe i përmbahem këtij vlerësimi.Me pyetjen tuaj, ju më jepni rastin të përsëris atë çfarë kam thënë kohë më parë për këtë njeri, dhe ajo çfarë kam thënë është kjo:
(1) Sikur z. Berisha të kishte hyrë në historinë politike të shqiptarëve fill para, gjatë ose pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shëmbëlltyra politike e tij do të kishte qenë Esad Pashë Toptani (jo Ismail Qemali apo Luigj Gurakuqi).
(2) Sikur z. Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1920 ose 1930, ai, njëlloj si Ahmet Zogu, do të ishte vetëshpallur “mbret i shqiptarëve”. Dhe, njëlloj si Toptani e Zogu, për të marrë pushtetin dhe për ta mbajtur atë, do t’u kishte falur shteteve fqinjë më shumë sesa Shkodrën, Vermoshin, Shën Naumin dhe pjesë të hapësirës shqiptare në Detin Jon, dhe do të ishte sjellë po njëlloj si ata ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke i asgjesuar ata.
(3) Sikur z. Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1944-45, ai do të ishte bërë një diktator edhe më brutal se Enver Hoxha.
(4) Sikur z. Berisha të kishte munguar në këto më shumë se dy dekada e gjysmë të tranzicionit postkomunist në Shqipëri, sot nuk do të gjendeshim në këtë pikë ku jemi, por do të kishim bërë një progres shumë më të madh.
Unë mendoj se Sali Berisha e ka drejtuar këtë vend shumë keq. Ai ka qenë shumë destruktiv, jo vetëm kur ka qenë në krye të opozitës, por, sidomos, kur ka qenë në pushtet. Sali Berisha i ka bërë dëme të mëdha dhe i ka shkaktuar shumë vuajtje këtij populli në këta vite të vështirë e të gjatë të tranzicionit. Ai është përgjegjësi kryesor i shkatërrimit total të ekonomisë shqiptare, i grabitjes dhe shkatërrimit total ludist të bazës materiale të industrisë e të ekonomisë bujqësore të këtij vendi, të ngritur për gjysmë shekulli me djersën dhe privacione të shumta të popullit tonë.
Berisha është përgjegjësi kryesor i braktisjes demografike të pjesës më të madhe të territorit të vendit dhe i “rrethimit” të Tiranës nga dhjetra e qindramijë njerëz që, me dijeninë, me bekimin dhe me premtimet e tij elektorale uzurpuan toka e prona që u përkisnin pronarëve të ligjshëm të tyre, duke u bërë kështu shkaktar i asaj katrahure të madhe në çështjen e të drejtave pronësore, që ndoshta nuk do të marrë fund për dekada të tëra.
Berisha është përgjegjësi kryesor që solli përçarje krahinore, qëngjalli frikën dhe pasiguri në radhët e popullit tonë dhe që i vrau brutalisht shpresat e rinisë sonëpër ta bërë Shqipërinë si tërëEuropa. Qeveritë socialiste që erdhën pas tij, ose në intervalin mes dy sundimeve të tij, nuk bënë më të mirën që mund të bënin për ta përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike e morale të vendit dhe integrimin e tij në BE, por atyre u është dashur shumë mund dhe kanë marë kosto të mëdha për të zhbërë bëmat antiipopullore e anti-kombëtare të Berishës.
Tragjedia (thuajse e harruar) e Gërdecit, vrasja gjakftohtësisht e katër qytetarëve të pafajshëm në Bulevardin e madh, thirrjet e herëpashershme antikushtetuese të Berishës për permbysje me dhunë të qeverisë—të gjitha këto kanë krijuar e ruajtur një atmosferë frike e pasigurie në një vend që, edhe për këtë arsye, kambetur prapa vendeve të tjerë të rajonit.
A nuk mjaftojnë edhe vetëm këto për ta quajtur Sali Berishën një fatkeqësi kombëtare?
Habilaj: Nëse kjo nuk është një pyetje për mua, si gazetar, së cilës duhet t’i përgjigjem, ju falenderoj për intervistën.