Mësimi në Universitetet Publike është pezulluar këtë të enjte pasi studentet kanë bojkotuar procesin mësimor për shkak të protestes së tyre. Studentet protestojnë kundër tarifës prej 670 lekësh për kredit për provimet e mbartura.
Në fakultetet e Universitetit të Tiranës dhe atij Politeknik, studentet janë grumbulluar para godinave duke mbajtur pankarta në dorë ku kërkojnë plotësimin e kërkesave te tyre nga Ministria e Arsimit. Studentët e Fakultetit të Drejtësisë, Mjekësisë, Shkencave Sociale, Histori Filologjisë, Gjuhët e Huaja dhe Shkencat e Natyrës kanë bojkotuar mësimin.
Studentët i kanë vendosur një ultimatum qeverisë që të japë një përgjigje deri sot në orën 4 pasdite, në të kundër protestat do të përshkallëzohen në demonstrata.
“Ne kemi lënë një afat, deri sot pasdite në orën 4 kërkojmë përgjigje. Nëse përgjigja nuk jepet, atëherë ta dija kryeministri dhe ministrja se ne nuk tërhiqemi. Nuk jemi rtërhequr për protestat tona për armët kimike dhe nuk do tërhiqemi. Madje paralajmërojmë se protesta mund të kalojë në demonstrata. Protesta do të përfundojë vetëm me realizimin e qëllimeve. Ky është dhjetori i dytë. Prindërit tonë patën vizionin për një Shqipëri Europiane, atë ëndërr vazhdojmë ta kemi dhe ne. 8 dhjetori i dytë po afron, Dhjetori i dytë do ta gjejë Shqipërinë me heqjen e këtyre tarifave burokrate”, tha studenti.
Pavarësisht thirrjeve me megafon për të mos hedhur objekte në drejtim të godinës së Ministrisë, disa studentë kanë hedhur vezë dhe letra higjienike.
Studentet kanë katër kërkesa të cilat I konsiderojnë të panegociueshme:
- Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë:
Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
- Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
- Përmiresimi i kushteve të konvikteve.
- Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë)
Protestojnë edhe studentet e Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës
Mijëra studentë nga Universitetet Publike në rrethe kanë mbështetur kauzën e tyre kundër tarifave vjetore të studimit dhe tarifave për provimet e mbartura, proteste që u nis nga studentet në Tiranë.
Këtë të enjte shtrirja e protestes ka qënë e madhe dhe ka përfshire masivisht Universitetet në Korcë, Shkoder, Elbasan dhe Durrës.
Ata nuk kanë pranuar të futen në auditore përsa kohe nuk ka një përgjigje për kërkesat e tyre bazike.
a.çupaj