Ai që nisi si zemërim kundër çmimit të naftës, tani është rritur akoma më shumë duke iu drejtuar kostos së lartë të jetesës në përgjithësi. Ministria e Brendshme franceze thotë se 136.000 vetë morën pjesë në protestën mbarëkombëtare të së dielës, çka tregon se vrulli i demonstruesve nuk po bie aspak.
Jelekët e verdhë, siç i quajnë për shkak të veshjes fosforeshente që i bën të dallohen qartë në rrugë, u kthyen së fundi në frymëzim edhe për grupe nxënësish në gati 100 gjimnaze të vendit, të cilët kanë dalë në tubime kundër reformave në arsim.
Të pakënaqur shprehen edhe drejtuesit e auto-ambulancave që ngritën zërin kundër një sërë reformash të sistemit shëndetësor, për të cilat thonë se mund të prekin shërbimet e tyre. Reformat, tha një prej tyre për Reuters, do të na godasin financiarisht e do të shkatërrojnë kompanitë tona.
Do të ketë pushime nga puna, për këtë të jeni të sigurt, u shpreh ai. Presidenti Emmanuel Macron zhvilloi të hënën një mbledhje urgjente sigurie, por ndonëse ministrat e kanë bërë të qartë se nuk do të përjashtohet asnjë mundësi, duket se vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk është shtruar në diskutim gjatë bisedimeve./a.meta