Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të automjetit tip “Ford” me drejtues shtetasin F.C, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me ato doganore, si dhe duke përdorur qenin antidrogë, kanë konstatuar të fshehur në shasi të automjetit një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit cannabis sattiva, me peshë totale prej 57 kilogramë.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimit e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, F. C, 48 vjeç, banues në Sarandë. Si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë bashkëshortja e tij, shtetasja M.C, 50 vjeçe, e cila udhëtonte sëbashku me bashkëshortin e saj në automjetin ku u gjet lënda narkotike. Materialet do ti dërgohen Prokurorisë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal. /a.meta