Nga Alfred Peza
Ka një kulturë të përhapur gjerësisht në mediat shqiptare të pas 1990, për amplifikimin pa doganë të së keqes sonë, sidomos kur ajo thuhet nga të huajt apo citohen raportet, shkrimet a kronikat e mediave të tyre. Lajmet me “mafia shqiptare” që bashkëpunojnë me ato italiane, ka rreth dy dekada që publikohen në mediat tona, e me kalimin e viteve gjeografia erdhi duke u zgjeruar, fillimisht nëpër Europë, e duke mbërritur prej ca kohësh deri në Amerikën Latine.
Mediat e vendeve fqinj kanë kohë që e kanë shumë të thjeshtë që të gjejnë në çdo kohë fajtorë për çdo lajm, problem apo shqetësim që kanë qytetarët dhe elitat e tyre politike. Mjafton që ti vendosësh gishtin komunitetit të emigrantëve që janë më pak në modë për atë moment dhe gjithçka është në rregull për ta. Kështu ka qenë deri vonë në Greqi e Itali me emigrantët shqiptarë, e tashmë me komunitetet e tjera që vazhdojnë e vazhdojnë të dynden nga Mesdheu.
E atëherë kur mediat filluan që të na linin më të qetë, nuk kishte si të mos e vazhdonin këtë këngë, e të mos e përsërisnin sa herë që kjo u duhet, tashmë politikanëve të ekstremit të djathtë e të majtë, ksenofobët dhe kujtdo tjetri që është bërë pjesë e një mode të re në Europë, ku për çdo problem në vendet e tyre, kura dhe ilaçi i shpëtimit gjendet tek lufta kundër emigrantëve.
Në këtë frymë e atmosferë, orët e fundit në Itali, zv. Kryeministri dhe ministri i Brendshëm Matteo Salvini, ka zgjedhur që të postojë në rrjetet sociale një letër në të cilën shkruhej: “Ke 3 shqiptarë pas qafe, do ekzekutohesh, je derr, gay”. Nuk zgjati shumë dhe Salvini menjëherë në instagram, shkroi: “Letra e kërcënimeve, veçanërisht në gramatikën italiane erdhi në Ministri. Ajo tërheq vetëm puthje dhe përqafime! Të shtunën e ardhshme, më 8 dhjetor në 11 në Romë në Piazza del Popolo, ne do të përgjigjemi me buzëqeshjet e mjaft italianëve të respektuar!”.
Bukur. Deri këtu, në rregull: The show must go on!
E ndërkohë që në Itali një politikan që drejton dikasterin e luftës kundër kriminalitetit, në vend të hetimeve preferon të bëjë show, në Shqipëri mediat e ndryshme kanë cituar prokurorin Nicola Gratteri, shef i Departamentit të Antimafias të Katanzaros në rajonin e Kalabrisë, që ka thënë se “mafia shqiptare është mafia e së ardhmes”; një tjetër se “mafia shqiptare ështe më e fuqishmja”; një tjetër akoma se “jemi të shqetësuar për mafian shqiptare”, etj.
Le të mos meremi fare me faktin se Katanzaro është një provincë me 360 mijë banorë në një vend me 60 milionë banorë, e të marim të mirëqenë se prokurori i cituar do të ishte vetë Nr. 1 i Antimafias së gjithë Italisë, si edhe Salvini shefi politik për monistrinë “e policisë”. Le të supozojmë se edhe ajo që thotë Gratteri, është po aq serioze sa edhe ajo që thotë Salvini, ose anasjelltas.
Le ta zemë se Mafia shqiptare qenka më e madhe dhe më e rrezikshme se italiania. Se kriminelët shqiptarë janë aq të zotë e të fuqishëm, sa rrikërkan tani edhe prapa veshit të ministrit të Brendshëm të Italisë. Se kjo na bëka që të jemi një mafia me prespektivë dhe një kriminalitet që nesër pas nr. 2 mund të kërcënokemi edhe Nr. 1 të qeverisë italiane. E kështu me radhë, nuk dihet se deri ku, e për çfarë?! E ta mendosh që ky Salvini shihet si një “yll në ngjitje” jo vetëm ndër politikën italiane por edhe në atë Europiane. E vetmja gjë që të shkon ndërmend pa kësaj, është se përse qenkemi qarë vallë deri dje, kur na hiqnin veshin e na thoshin ndonjë fjalë të keqe a ndonjë kritikë, Romano Prodi apo Angela Merkel përshembull?!
Nejse. E rëndësishme është që Salvini është jo vetëm mirë, por edhe shëndoshë. Ne deri atëherë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të lutemi që në 8 dhjetor, ti shkojnë sa më shumë njerëz në mitingun që ai do të zhvillojë në orën 11.00 në “Piazza del Popolo” në Romë. Se në fund të fundit, edhe nëse na ka përdorur pak, thjeshtë për të mirën e popullit vëlla italian e ka bërë. Shyqyr që atë ditë, edhe ne kemi me se të meremi, se do ishim gjithë merak. Kemi edhe ne një përkujtim atë ditë. Po në një shesh, e po në një qytet. Mos harroni: Eshtë përkujtimi i 8 dhjetorit 1990. Eshtë 28 vjetori i fillimit të lëvizjes studentore. Në “Piazza del Democrazia”! Në Qytetin Studenti.
/AlpeNews.al