Nga Artur Ajazi
Mjafton të dëgjosh se si “ekspertët” e PD japin pretencën e tyre për investimin madhor tek Unaza e Madhe, se si japin shpjegime dhe adresojnë lumenj me akuza verbale ndaj ARRSH, qeverisë, ministrave dhe kryeministrit, dhe do të bindesh se kemi të bëjmë jo me përfaqësues të një force politike, por me prokurorë politikë. Shpesh ata nuk mund ti krahasosh as me prokurorët e Plepave, por më keq akoma me prokurorët e 1945, me ata që jepnin pretencën pa hetuar dhe pa pyetur për zbatimin e ligjit. E ndërsa asokohe ligji dhe Kodi Penal mungonin për arsye objektive, sot kjo opozitë i ka të gjitha shanset dhe hapësirat të formulojë akuza dhe të nxjerri nga bodrumet e SHQUPI-t shkresa dhe letra të tjera, dhe ti drejtohet organeve të hetimit dhe gjykimit.
Prej 28 ditësh, eksponentë të kësaj PD-je, po merren dhe po u “qajnë hallin e madh” banorëve tek Astiri, po qëndrojnë në krahun e tyre, duke i joshur me broçkulla dhe premtime idioteske se “projekti do të anullohet, kur të vijmë ne në pushtet do të bëjmë projekt të ri” dhe lloj-lloj shpikjesh që mbajnë vulën “made in opozita”. Nuk ka ditë dhe natë, që “ekspertët” e PD të mos u gjenden pranë banorëve të Astirit, duke i mbajtur ata me premtime dhe ëndërra imagjinare për “vazhdimin e protestave deri në përmbysjen e qeverisë Rama”.
Edhe pse shumëkush nga banorët e ka kuptuar hilenë e “ekspertëve” të PD, edhe pse dikush prej tyre e ka shprehur hapur dyshimin dhe kundërshtimin për çfarë u ofrohet nga ligjvënësit milionerë, duket se akoma ka prej tyre që e besojnë fjalën dhe përbetimin e zotit Basha. Edhe pse shumica e tyre e kanë kuptuar, dhe e kanë mësuar faktin se ka qenë pikërisht ish-kryetari bashkisë (sot kryetar PD) zoti Basha dhe “ekspertët” e tij, që e kanë nisur hartimin e projektit, duket se ka prej tyre që besojnë akoma se “ne do të përmbysim qeverinë”. Dhe për ta bërë sa më të besueshme praninë e “ekspertëve demokratë”, prokurorët e zotit Basha nuk po pushojnë së akuzuari dhe denoncuari, dhe së “mbrojturi” banorët e Astirit, edhe në ditë festash, duke qenë atje mes tyre edhe kur bllokojnë trafikun, edhe kur digjen gomat, edhe kur hidhen kapsollat. Por më skandaloz mbetet nxitja e atyre hallexhinjve për të nxjerrë në rreshtin e parë fëmijët, për ti rreshtuar ata mes shiut dhe të ftohtit dimëror duke u thënë se “kështu do të merrni edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve”.
Të mashtruar dhe karikuar nga ligjvënësit milionerë të kësaj PD, të cilët bëjnë prej 1 viti “ekspertin dhe prokurorin” gjithmonë kur dalin para turmave dhe kamerave, duket se problemi apo drama e atyre hallexhinjve po ndërlikohet edhe më shumë. Të zbresësh nga avionët dhe të kthehesh buzagaz nga pushimet jashtë shtetit, dhe pastaj të vishesh me xhup për të qenë “pranë hallexhinjve duke i premtuar atyre vazhdimin e protestës” është si të bësh humor ditën e qametit. Ata banorë që akoma besojnë se ligjvënësit milionerë janë “pranë tyre për ti mbrojtur” nuk e kanë kuptuar akoma se problemi i zotit Basha është vetëm pushteti dhe jo anullimi projektit, nuk e kanë kuptuar akoma se hallin e tyre e zgjidhin me rrugën ligjore dhe jo me bllokime rrugësh, djegie gomash dhe plagosje policësh.
Astiri do të mbetet edhe për disa ditë loja e trashë e “ekspertëve dhe prokueorëve ” të kësaj PD, e atyre që veç faktit që bëhen qesharakë dhe ngjasojnë me prokurorët e 1945, nuk të lënë shije tjetër si opozitë e përgjegjshme. E ndërsa “ekspertët dhe prokurorët” milionerë të opozitës merren gjithë ditën me Astirin, Parlamenti Europian miratoi 3 ditë më parë me 459 vota pro, 112 kundër dhe 62 abstenim, rezolutën për Shqipërinë ku bën thirrje për “dialog politik mes palëve dhe kthimin e opozitës në Parlament”.
Ndër të tjera “PE inkurajon të gjitha forcat politike që të bëjnë përpjekje të mëtejshme për të krijuar një dialog të mirëfilltë politik dhe për të arritur bashkëpunim konstruktiv, duke mbështetur kështu procesin e reformave, rithekson besimin e fortë se dialogu politik duhet të zhvillohet brenda institucioneve demokratike, dhe është shumë e shqetësuar për bojkotin de facto të procesit parlamentar nga opozita pas pushimit veror të vitit 2018”.
Kjo padyshim ka shuar çdo shpresë të zotit Basha se “Astiri si kauza e fundit e opozitës do të marrë përkrahje edhe nga organizmat ndërkombëtare”. Ndoshta kaq do të mjaftonte që kryetari i kësaj PD-je të tërhiqte “ekspertët dhe prokurorët” e tij nga fronti astirian, për ti angazhuar ata në hartimin e një programi serioz elektoral, që do ta nderonte sado pak opozitën e dështimeve spektakolare.