Shqipëria dhe Kosova me sytë nga Dublini për të zbuluar se cilat do të jenë rivalet e tyre në rrugëtimin drejt Euro 2020, me Kosovën që pasi siguroi një vend në play off të Ligës D do të provojë mundësitë e saj për herë të parë në histori dhe nga eliminatoret e europianit.
Si Shqipëria dhe Kosova të pozicionuara respektivisht në vazon e katërt dhe të pestë, bazuar në rezultatet e arritura në Nations League do të provojnë të renditen mes dy vendeve të para, në 10 grupet që do të përcaktohen në Dublin të Irlandës, në shortin që do të mbahet në orën 12 00 të kësaj të diele. Në total 10 grupet do të ndahen në 5 me nga 5 skuadra dhe 5 me nga 6 skuadra në përbërje, ndërsa 4 përfaqësueset që kanë fituar grupet respektive në Ligën A të Nations League, Holanda, Zvicra, Portugalia e Anglia do të pozicionohen në grupe me 5 skuadra. Kosova nuk mund të jetë në të njëjtin grup me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën që bëjnë pjesë respektivisht në vazon e tretë dhe të dytë, për shkak të konflikteve politike që ka dy shtete të Ish-Republikës së Jugosllavisë.
Përsa i përket Shqipërisë për të vazhduar ëndrrën dhe për të pretenduar kualifikimin e dytë radhazi në një kampionat europian, urojmë që shorti të tregohet disi bujar. Do të ishte mirë që nga vazo e parë kuqezinjtë të evitonin përfaqësuese të tilla si Franca, Belgjika, Spanja, Anglia por edhe Kroacia e Portugalia. Nga vazo e dytë duhet evituar me çdo kusht Gjermania por pse jo edhe Suedia, Rusia e Ukraina. Në vazon e tretë kundërshtarët më të rrezikshëm dhe do të ishte mirë që Shqipëria mos t’i kishte në grup janë Sllovakia, Turqia, Skocia dhe Norvegjia, ndërsa nga vazo e 5-të do të ishte perfekte të mos kapnim as Kosovën e as Maqedoninë e Bjellorusinë, përsa i përket vazos së 6-të janë të gjithë kundërshtarë të kalueshëm për kuqezinjtë e Panuccit edhe pse Letonia do ishte mirë të evitohej.
Një grup ideal për kuqezinjtë për të shpresuar një kualifikim të mundshëm në Europian do të ishte ky:
Vazo 1: Polonia ose Zvicra
Vazo 2: Republika Çeke, Uellsi ose Islanda.
Vazo 3: Irlanda e Veriut, Finlanda, Bullgaria ose Izraeli.
Vazo 4: Shqipëria
Vazo 5: Moldavia, Gjibraltari ose Ishujt Faroe
Vazo 6: Andorra ose San Marino
a.ç