Serbisë po i ngutet në negociatat me Kosovën sepse dëshiron t´i rrumbullakësojë sa të jetë Mogherini ende në pozitën që ka, sa të jetë Thaçi pa u akuzuar, gjersa LVV-ja ende nuk ka ardhur në pushtet, dhe, përderisa Kosova nuk ka ende ushtri, thotë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti në një intervistë për Portalin Koha.net flet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por, thotë se për ta normalizuar Kosovën nevojitet të ndryshojë Kosova, e për ta normalizuar marrëdhënien e Kosovës me Serbinë, duhet të ndryshojë Serbia. Sipas Kurtit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka hall fatin e vetvetes dhe nuk sheh shpresë te sundimi i ligjit sipas modelit evropian por sipas modelit rus, prandaj edhe e përshkruan kështu: “Vuçiqi e çoi te Putini, kurse Putini e rikthen te Vuçiqi, po luajnë me Thaçin si me top ping pongu”.
Thotë se opozita është e gatshme më shumë se kurrë më parë për zgjedhje dhe se ka bashkëpunim mes tyre edhe në të ardhmen, siç thotë ai, në qeverisje.
Lideri i Lëvizjes, ndër të tjera thotë se ideja e pavarësisë ka mbetur pa institucione të politikës. “Haradinaj i dha 8.200 hektarë për ulësen e kryeministrit. Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit. Territor për karrige, në të dy rastet”, thotë ai.
E punën e Haradinajt në krye të ekzekutivit, e cilëson si me shumë skandale. E veçon skandalin e parë që thotë se e filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe, por përmend edhe një sërë të, siç thotë ai, “skandaleve që s’kanë të ndalur”.
Taksën ndaj mallrave serbe e boshnjake, Kurti e quan “zbulimi i fundit patriotik” i qeverisë së Kosovës, e për këtë, thotë se ka munguar përgatitja e madje nuk është e drejtë që çmimin ta paguajë populli. Kërkon që të ndërmerren masa edhe subvencionuese që sidomos çmimi i bukës të kthehet si ishte.
Kurti thotë se s’ka mesazhe shpresëdhënëse për sa i përket liberalizimit të vizave. Kosova, thotë ai, meriton ta ketë liberalizimin por thotë se “duhet t´ia shpjegojmë secilit qytetar se, kur qeverisesh nga hajna, nga injorantë e nga njerëz që ia nxjerrin faqen e zezë vetes dhe vendit të tyre, nuk mund të presësh trajtim të mirë nga Bashkimi Evropian”.
Koha.net- Z. Kurti, ajo që po shohim kohëve të fundit është se janë shpeshtuar mosmbajtjet e seancave plenare në Kuvendin e Kosovës. Si e vlerësoni punën e Kuvendit në përgjithësi, dhe cila mendoni se është dalja nga kjo situatë?
Albin Kurti: Presidenti po e bojkoton Kuvendin dhe Qeverinë. Qeveria po e bojkoton Kuvendin. Sepse kështu po e luftojnë opozitën. I kanë rrënuar institucionet e shtetit pasi që i kanë kapur e ngulfatur ato. Vetëm Kuvendi u ka mbetur. Dhe, aty kanë rënë, nuk e kanë shumicën, kanë ngelur qeveri e pakicës, çfarë po e bën jofunksionale republikën parlamentare siç është shteti i pavarur i Kosovës. Sjellja e tyre ndaj institucioneve mund të përshkruhet me dy fjalë: përbuzje dhe plaçkitje. Mosrespektim të tillë shtetit të Kosovës nuk mund t´ia bëjë askush që e do këtë vend.
Diplomacia e Pacollit shumë e dobët
Koha.net- E fundit që dështoi ishte seanca e jashtëzakonshme e thirrur për të diskutuar për dështimet dhe skandalet në diplomacinë kosovare. Kjo dështoi në mungesë të deputetëve kryesisht të shumicës dhe të kryeministrit Haradinaj e ministrit Pacolli. Si e shihni diplomacinë e Pacollit?
Albin Kurti: Shumë e dobët edhe atëherë kur nuk është e keqe. Pak dije, aspak kulturë, përgatitje negative. Sepse edhe për anëtarësim në INTERPOL lobojnë si të ishte ky forum biznesmenësh i tregtisë ndërkombëtare.
Koha.net- Ju si lider i Vetëvendosjes, keni propozuar një alternativë prej katër hapash për bisedimet me Serbinë. Thoni se nga to do të kishte bisedime më të përgatitura për një zgjidhje të qëndrueshme. Sa prisni që të merren parasysh këta hapa nga spektri politik vendor?
Albin Kurti: Nuk besoj në zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme e afatgjate pa këta hapa. Së pari, shqyrtim dhe vlerësim i raportit qeveritar 38 faqësh mbi 33 marrëveshjet e dialogut 2011-2017. Po bëhen 21 javë prej se është sjellë në Kuvendin e Kosovës por nuk lejohet të futet në agjendën parlamentare për seancë plenare. Hapi i dytë: përcaktimi i qartë dhe i saktë i qëllimeve tona shtetërore që i përkthejmë në listë të kërkesave për Serbinë. Këtu kollaj arrijmë te konsensusi nacional. Pas këtyre dy hapave të parë, nevojiten zgjedhjet e reja për legjitimitet të ri institucional e politik. Hapi i tretë, kjo në legjislaturën e shtatë: platforma me parime. Dhe, hapi i katërt: ekipi negociator me udhëheqës kredibil e strategji përkatëse. Por, si të ecim mirë e drejtë me njerëz të këqij e të gabuar? Duket që Haradinaj si kryeministër ia la dialogun Thaçit si president në kuadër të pazarit të tyre të zhvatjes së buxhetit të shtetit dhe kontestimit të integritetit territorial të tij.
Koha.net- Edhe miqtë ndërkombëtarë, por edhe spektri politik vendor, bën vazhdimisht thirrje për një konsensus rreth dialogut. Çka po e pengon arritjen e këtij konsensusi, sipas jush? Kush janë fajtorët?
Albin Kurti: Së pari, Kosova nuk është vend demokratik dhe është shtet i kapur. Raporti i Freedom House 2018 e cilëson Kosovën si regjim hibrid, pjesërisht i lirë. Në raport përdorët togfjalëshi “gjysëm-autoritar”. Pastaj, Raporti i sivjetshëm “Kapja e Shtetit në Kosovë përmes Ekonomisë politike të Zhavorit” i publikuar nga KDI dhe Transparency International Kosova gjejnë se situata në Kosovë nuk mund të cilësohet thjesht si “vetëm korrupsion” sepse, në fakt, është “kapje e shtetit”. Fajtorët për këtë gjendje janë të kriminalizuar e të shantazhuar andaj nuk është kollaj të merresh vesh me ta. Në fakt, ata merren vesh më kollaj me Serbinë sesa me neve opozitën. Këta politikanë të kriminalizuar i bëjnë kërkesa njëri-tjetrit dhe opozitës, por jo Serbisë. Së dyti, mendoj që karshi Serbisë, më e rëndësishme është fuqia ligjore dhe politike e shtetit tonë sesa përmasa e konsensusit tonë ndërpartiak. Kur e ke shtetin përtokë gjëja e parë që bën është që nuk hyn në negociata pa u ngritur ca dhe pa u përgatitur mirë. Serbisë po i ngutet në këto negociata, sepse dëshiron t´i rrumbullakësojë sa të jetë Mogherini ende në pozitën që ka, sa të jetë Thaçi pa u akuzuar, gjersa LVV ende nuk ka ardhur në pushtet, dhe, përderisa Kosova nuk ka ende ushtri. Çdo nxitim është realisht i induktuar nga nxitimi i Serbisë.
Po luajnë me Thaçin si me top ‘ping-pongu’
Koha.net- Z.Kurti, a besoni në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ose si e shihni ju fundin e dialogut?
Albin Kurti: Politikanë e diplomatë të ndryshëm evropianë, sidomos gjermanë, thonë se Serbia nuk hyn dot në BE pa e pranuar pavarësinë e Kosovës. Institute të ndryshme botërore, sidomos amerikane, parashohin se Kosova do të bashkohet me Shqipërinë në të ardhmen e afërt. ‘Zajednicën’ praktikisht e ka rrëzuar populli i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Ndërkohë, le të mos i japim territor të vendit tonë Serbisë. Për ta normalizuar Kosovën nevojitet të ndryshojë Kosova. Por, për ta normalizuar marrëdhënien e Kosovës me Serbinë duhet të ndryshojë Serbia.
Koha.net- Së fundmi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me presidentin rus Vladimir Putin. E keni akuzuar edhe ju. Çka mendoni që mund të jetë diskutuar mes tyre, përtej asaj që e ka thënë Thaçi, për marrëdhëniet Kosovë-Serbi? Pse mendoni që ndodhi pikërisht në këtë kohë ky takim mes tyre?
Albin Kurti: Putini e urren Evropën dhe don ta ndajë atë sipas modelit të idhullit të tij Stalinit. Thaçi do që ta zëvendësojë Gjermaninë me Rusinë në politikën e jashtme të Kosovës dhe në orientimet e saj gjeopolitike dhe historike. Duke pasur hall fatin e vetvetes, ky nuk sheh shpresë te sundimi i ligjit sipas modelit evropian por te autokracia ku politika është mbi ligjin sipas modelit rus. Vuçiqi e çoi te Putini, kurse Putini e rikthen te Vuçiqi, po luajnë me Thaçin si me top ping pongu. Udhëtimet me avion dhe qëndrimet nëpër hotele të Thaçit për bisedime me Vuçiqin do të duhej të paguheshin nga buxheti i Serbisë e jo nga buxheti i Kosovës.
Të larguarve nga Vetëvendosja Kurti s’u thotë rruga e mbarë, për të nuk është e tillë
Koha.net- Të kthehemi edhe njëherë tek puna e Kuvendit. Si po funksionon opozita? Ta zëmë, me LDK-në a ka më shumë pika që ju bashkojnë apo aso që ju ndajnë në të bërit opozitë?
Albin Kurti: Më shumë ka pika që na bashkojnë. Raportet i kemi korrekte dhe bashkëpunuese. Koordinohemi rregullisht në Kuvend. Për mendimin tim hapat tonë do të mund të ishin ca më të shpejtë, por hapa mbrapa nuk kemi bërë.
Koha.net- Kur jemi te bashkëpunimi mes opozitës, cili është bashkëpunimi juaj me PSD-në? A shihni mundësi bashkëpunimi me këtë subjekt politik? Në deklarimet e fundit nga figura brenda Vetëvendosjes shprehet një përafrim i PSD-së me pushtetin. Ju si lider i Vetëvendosjes, si e shihni këtë? A parashikoni ndonjë përafrim më të madh mes PSD-së dhe Qeverisë apo të kundërtën?
Albin Kurti: Për të hyrë në partinë e znj.Kaqusha Jashari nuk kanë pasur nevojë të hyjnë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, apo jo? Ngjashëm, për të hyrë në qeveri nuk ka pse rrinin në opozitë, apo jo?
Koha.net- Nëse mund t’i kthehemi largimit të tyre nga Vetëvendosja, si e shihni sot? A shihni se keni mundur ju personalisht dhe të tjerët brenda Lëvizjes të bëni diçka ndryshe për të mbajtur partinë të pathyeshme, ose, a do të bënit diçka ndryshe sikur të mund të kthenit kohën prapa?
Albin Kurti: Dalja e atyre deputetëve nga LV nuk ka qenë vendim i minutës së fundit. Ata kanë dalë sepse e kanë ditur se ku do të hyjnë. Ju dëshiroj rrugëtim të mbarë. Nuk mund të them rrugë të mbarë, sepse rruga e tyre nuk është e tillë.
Koha.net- Është lënduar prestigji i Vetëvendosjes nga kjo thyerje?
Albin Kurti: Aspak dhe përkundrazi. Ata që kanë dalë nga LV, neve na e kanë shtuar përvojën politike kurse vetes ia kanë hequr mbështetjen popullore.
Koha.net- Shprehen pakënaqësi të shumta me Qeverinë aktuale qendrore. Por, sa mendoni se opozita është e gatshme për zgjedhje të reja?
Albin Kurti: Jemi më të gatshëm se kurrë më parë. Kur zgjedhjet i fitonte PDK-ja, ajo i dëshironte shpesh ato. Që prej fitores së LVV në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, ata nuk duan më zgjedhje. Nuk është e rastësishme që KQZ-ja është jofunksionale sot. Deputetë në Kuvendin e Kosovës e asamblistë nëpër Kuvendet Komunale nuk po mund të zëvendësohen nga ky sabotim që po ia bën presidenti KQZ-së.
Skandalet e Haradinajt ia numëron Kurti
Koha.net- Kur jemi te qeverisja qendrore, si e vlerësoni punën e Haradinajt në krye të ekzekutivit? Ka qenë një përpjekje e përbashkët mes katër forcave politike me akronimin VLAN para disa vitesh që ta bëni kryeministër Haradinajn – a i ka përmbushur pritjet që i keni pasur aso kohe për të?
Albin Kurti: Ideja e pavarësisë ka mbetur pa institucione të politikës. Haradinaj i dha 8.200 hektarë për ulësen e kryeministrit. Thaçi e jep veriun për ulësen e presidentit, teksa shtiret se kjo është për ulësen e Kosovës në OKB. Territor për karrigë, në të dy rastet. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se deficiti tregtar i shtatorit të këtij viti 2018 është për mbi 20% më i lartë sesa i shtatorit të vitit paraprak 2017. Raporti eksport/import është 1/8. Në anën tjetër, 1/3 e popullatës nuk kanë qasje të lehtë në kujdesin shëndetësor, ose kanë vetëm qasje të kufizuar për shkak të mungesës së parave, ndërkaq, 18% e popullatës nuk kërkon shërbime edhe ne rast te sëmundjes, për shkaqe ekonomike. Skandalet e qeverisë dhe të Ramush Haradinajt si kryeministër, s’kanë të ndalur:
E filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe.
E vazhdoi me ministrin Rikallo i cili dyshohet si pjesë e bandave të Serbisë që kanë maltretuar njerëzit gjatë luftës.
I bëri plot 21 ministra, mbi 80 zëvendës-ministra, e 5 zëvendës-kryeministra për të rehatuar familjarë, farefis e militantë.
Shkeli së paku tri ligje për t’ia siguruar “Contour Global”-it shitjen, kredinë dhe fitimin prej plot 18,5%, kurse i bëri qytetarët që të paguajnë më shumë e më shtrenjtë.
Ia dyfishoi vetes pagat në shtetin me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë .
Ua fali borxhet ndërmarrjeve të papërgjegjshme.
I humbi 8. 200 hektarë nëpërmjet ratifikimit të demarkacionit më Malin e Zi.
Mashtroi për liberalizimin e vizave.
E rifilloi ‘Zajednicën’ e Serbisë me iniciativën për hartimin e statutit të saj.
E çoi drejt falimentimit PTK-në me mbipunësime partiake e farefisnore dhe e emëroi drejtor Gent Begollin e AAK-së, megjithëse aspak kompetent.
Një pjesë të kabinetit e ka të mbushur me njerëz që janë nën hetim për vepra kriminale.
E diskreditoi arsimin universitar kosovar duke e përjashtuar atë nga EQAR.
Papunësia është rritur 3.3 %, sikur edhe deficiti tregtar, borxhi publik e po ashtu edhe mjerimi social.
Pagoi 1 milion euro për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike.
Bëri spektakël me arrestimin e Gjuriqit të cilin nuk e gjykuan dhe dënuan kurse i dënuan gjashtë shtetas turq me dëbim pa gjyq e pa ligj.
Ia dha 53 milionë euro kundërligjshëm Bechtel-Enkas dhe 84 milionë euro Limak-Çalikut.
E vazhoi monopolin në homologimin e automjeteve në kundërshtim me qëndrimin e Autoritetit të Konkurrencës.
E kërcënoi prokurorin Elez Blakaj.
I shkatërroi bordet dhe menaxhmentet e Trepçës, ZRrE-së, TK dhe Postës duke i mbushur me militantë jokompetentë e të diskredituar të partisë së tij.
E kundërshton deklarativisht e verbalisht Hashim Thaçin në pazaret e tij me Serbinë, por jo edhe me votë në Kuvend.
Manipuloi me pronat në Shipitullë dhe Hade.
Shpenzoi mijëra euro për pushime luksoze në Saint Morriz. etj.etj.
Rrëzimi i qeverisë Haradinaj
Koha.net- Meqë jemi te koalicionet, dhe po flitet për zgjedhje të parakohshme, po flitet po ashtu vazhdimisht nga të dyja palët për një koalicion të mundshëm mes partisë suaj dhe LDK-së. Por, ka edhe zëra kritikë nga zyrtarë të lartë të LDK-së që thonë se koalicioni me Vetëvendosjen mund të ndodhë vetëm kur partia juaj të kërkojë falje për ‘sulmet’ ndaj kryetarit të tyre, Isa Mustafa, gjatë mandatit të këtij të fundit në krye të Qeverisë. Ju, si e komentoni këtë?
Albin Kurti: Largimi i PDK-së nga pushteti, prej ku ajo e ka kapur shtetin, dhe ndalja e kësaj qeverie të dështuar e shkuarja në zgjedhje janë objektiva të përbashkët opozitarë të LVV e të LDK. Nuk ka asnjë zë që të dalë kundër këtyre dy objektivave. Nuk besoj që ka në LDK zëra të cilët ende sot mund të thonë publikisht se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me PDK-në, pas gjithë përvojave të këqija që i kanë në të shkuarën. Megjithatë, për këto gjëra nuk duhet të më pyesni mua, unë nuk mund të flas në emër të një partie tjetër. Siç tashmë e thashë, jemi duke bashkëpunuar në opozitë, dhe jemi të hapur për më shumë bashkëpunim edhe në të ardhmen, në qeverisje.
Koha.net- Keni pasur një përplasje rreth ekonomisë me z. Haradinaj në Kuvend. Ende pa u kryer viti, rezerva shtetërore është zero. Si e shihni në përgjithësi menaxhimin e parasë publike nga qeverisja Haradinaj?
Albin Kurti: Kryeministri Haradinaj kur ishte në opozitë premtonte qeveri të vogël, me jo më shumë se një zv.ministër për ministri, mirëpo ja ku jemi. Shpenzimet qeveritare vetëm po rriten, ashtu siç po rritet edhe deficiti tregtar i Kosovës, nga viti në vit. Raportimet mediatike për shumat e shpenzuara në lobime të pasuksesshme, e po ashtu vizitat jashtë vendit me delegacione të stërmëdha, tregojnë se kursimi dhe shpenzimi me përgjegjësi i parasë publike, nuk janë prirje e qeverisë Haradinaj. Po rritet borxhi publik i cili shkon kryesisht për rritje pagash dhe asfalt. Mungesa është e trefishtë: mungesë e fuqisë blerëse, mungesë e prodhimit vendës, mungesë e punësimit për qytetarë. Nuk është e rastësishme që Haradinaj nuk e rishikoi fare buxhetin 2018. Buxheti i shtetit për ta është plaçkë që e posedojnë për interesin vetjak dhe jo tatim i qytetarëve që e menaxhojnë për interesin publik.
Koha.net- Z. Kurti, flasim pak për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Po për këtë keni pasur kauzë të përbashkët me z. Haradinaj për ta kundërshtuar. Si i shihni pozicionet sot? A e keni ndryshuar ju qasjen ndaj kësaj çështjeje apo partia e Haradinajt? Apo ajo që është votuar në Kuvendin e Kosovës në mars të këtij viti ka qenë tjetër nga ajo që është propozuar nga qeveria paraprake, ajo e Isa Mustafës?
Albin Kurti: Tetë muaj më parë u votua në Kuvend demarkacioni, dhe ne protestuam. Pra qartësisht nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë. Pozicioni ynë është: toka e Kosovës është e shenjtë, dhe nuk guxon asnjë politikan ta dhurojë apo ta shesë tek vende të tjera. Me ratifikimin e demarkacionit, Kosova i dha një mesazh shumë të rrezikshëm për ne, krejt botës. Praktikisht, ne treguam se kufijtë tanë janë të prekshëm, të ndryshueshëm, të negociueshëm. Dhe kjo ia hap derën tash interesave të Serbisë, e cila dëshiron të marrë veriun.
Koha.net- Pse mendoni që ka mbetur pezull mos-korrigjimi i këtij kufiri? A shihni më shumë hapësirë për presion opozitar në këtë aspekt?
Albin Kurti: Ne vazhdimisht po ia përkujtojmë kryeministrit Haradinaj këtë gjë. Ai atëherë e ftoi partinë e tij ta votonte demarkacionin Meha, duke thënë se do të fillonte menjëherë një korrigjim i kufirit. Ne i treguam publikut qysh atëherë se ajo ishte gënjeshtër, dhe se nuk mund të kishte më korrigjim kufiri pasi që ratifikohet demarkacioni. Muaj pas muaji, tashmë prej tetë muajsh, gënjeshtra e Haradinajt mbi korrigjimin e kufijve pas demarkacionit, po bëhet evidente për të gjithë. Haradinaj jo vetëm që s’e mban fjalën por vetë ai mbahet nga mashtrimi.
Nuk ka shpresa për liberalizim
Koha.net- Çështja e liberalizimit mbetet shqetësim për qytetarët në Kosovë. Çfarë prisni ju z.Kurti, a do të ketë liberalizim këtë vit? Nëse jo këtë vit, kur?
Albin Kurti: Ky vit tashmë e ka edhe një muaj, dhe nuk ka mesazhe shpresëdhënëse nga vendet evropiane. Kosova meriton ta ketë liberalizimin e vizave, si të gjitha vendet e rajonit. Por, duhet t´ia shpjegojmë secilit qytetar se, kur qeverisesh nga hajna, nga injorantë e nga njerëz që ia nxjerrin faqen e zezë vetes dhe vendit të tyre, nuk mund të presësh trajtim të mirë nga Bashkimi Evropian. Për shkak të keqqeverisjeve të deritanishme, për shkak të pushtetarëve të pangopur, sot Kosova nuk e ka më mbështetjen ndërkombëtare që ka pasur para disa vitesh.
Koha.net- Pse gjithë ky hezitim nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian të votojnë pro liberalizimit të vizave për kosovarët?
Albin Kurti: Qeveritarët tanë, që na mashtrojnë vit për vit për punë të liberalizimit, dhe e kanë përdorur liberalizimin për t´ia mbyllur gojën opozitës, tani po thonë se fajin e kanë disa vende evropiane. Kurrqysh nuk i kthejnë dot sytë nga vetja, e të shohin se si, 20 vite dështime e turpe këta pushtetarë ia kanë bërë Kosovës. Është pafytyrësi kur fajet e dështimet e tua ia lë gjithnjë të tjerëve, një herë opozitës, një herë vendeve evropiane. Fajin për mosliberalizim e kanë qeveritarët dhe kriminelët e pasuruar nga pushteti.
Koha.net- A konsideroni se keni bërë gabime në të kaluarën në veprime politike?
Albin Kurti: Jo në gjëra substanciale. Në politikë, ne në LVV, para se të ndërmarrim veprime politike apo vendime, fillimisht i analizojmë me kujdes dhe i diskutojmë çështjet, aq sa na lejon koha. Sigurisht, ka patur analiza që nuk kanë dalë tamam ashtu siç kemi menduar, dhe kjo është normale, sepse nuk mund të jemi profetë. Por përgjithësisht historia ka treguar se kemi pasur të drejtë, e kjo jo se kemi fat, por pikërisht për shkak të rëndësisë që i japim analizimit serioz të situatave e proceseve politike, për shkak se udhëhiqemi nga parimet e jo nga parashikimet.
Thaçi është seri e dështimeve
Koha.net- Z. Kurti, cili do të ishte kushti i Vetëvendosjes për të pranuar presidentin Hashim Thaçi për kryenegociator në Bruksel?
Albin Kurti: Nuk ka asnjë kusht, nuk e pranojmë. Nuk mund të negociojë fatet e një vendi dhe të një populli një njeri të cilit ia kanë zënë bishtin me derë. Njerëzit që duhet të negociojnë duhet të mandatohen nga parlamenti, dhe duhet të jenë njerëz me integritet të lartë moral e patriotik, me dije të gjerë e të thellë. Përndryshe, nëse në negociata do të çojmë njerëz të shantazhueshëm, gjithnjë do të dalim të humbur nga ato negociata.
Thaçi është seri e dështimeve. Atij i nevojiten incidentet në terren dhe thyerja e LDK-së për të ecur përpara projekti i tij me Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Ta pranosh Thaçin është si ta pranosh hajnin që vjedh shtëpinë e vet kur të thotë: më ler të bëj pazar në emrin tënd me kojshinë. Thaçi është president për veten dhe për Serbinë, jo për Kosovën.
Koha.net- Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, Policia jonë dështoi të bëhet pjesë e saj. Pse mendoni që ndodhi kjo, pavarësisht se pati mjaft optimizëm në Kosovë? A mendoni se pati ndikim lobimi i Serbisë? Si përkthehet ky dështim tek koalicioni qeverisës?
Albin Kurti: Ky dështim nuk është i pari, andaj nuk kemi si të befasohemi. Fatkeqësisht nuk ka ndërrim të qasjes nga qeveritarët. Serbia po e minon në çdo hap rrugën e Kosovës për njohje ndërkombëtare, me ndihmën e Rusisë. Ndërsa presidenti Thaçi edhe pse pa mandat, takohet shumë shpesh me Vuçiqin, e së voni edhe me Putinin. A e kupton ky president se ndonjë shtetas i Kosovës mund të fillojë të mendojë se edhe Thaçi vetë është pjesë e lobimit rus?
Nga taksa pritet rezultat pozitiv, por mos ta paguajë çmimin populli
Koha.net- Z.Kurti, është rritur taksa ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe BeH në 100 për qind. Si e vlerëson këtë vendim dhe a prisni reagime më të ashpra nga shteti fqinj tani? Në anën tjetër, a mendoni se kjo do të ndikojë në rritje të çmimeve dhe do ta dëmtojë konsumatorin?
Albin Kurti: Reciprociteti mund të zbatohet kollaj me barriera jotarifore. Psh. themi që në çdo mall duhet të shkruhet Republika e Kosovës. Dhe, ja ku i çon në vetëbllokim mallrat e Serbisë. Nga taksa 100% presim rezultate pozitive, por metoda është joadekuate dhe përgatitjet kanë munguar. Në vend të taksës si gjobë taktike, do të duhej një reciprocitet i plotë shtetëror. Dhe, në vend të një akti të dëshpëruar ad hoc, nevojitet plan e strategji për zëvendësim të importeve nga Serbia me prodhim vendës, apo nga Shqipëria e nga shtetet mike. Nuk është e drejtë që për ‘zbulimin e fundit’ patriotik të qeverisë, çmimin ta paguajë populli, andaj nevojitet që të ndërmerren masa edhe subvencionuese në mënyrë që sidomos çmimi i bukës të kthehet ku ishte.
Koha.net- Në fund, meqë Prishtina është kryeqytet, dhe drejtuesi i saj erdhi në këtë post si kandidat i partisë suaj por që më pas u ndanë rrugët, si konsideroni se po qeveriset nga Shpend Ahmeti?
Albin Kurti: Në mandatin e parë ka patur arritje në shumicën e drejtorive, dhe entuziazëm qytetar. Në mandatin e dytë, pasi u tjetërsua vullneti i qytetarëve, duket se ka përqendrim tjetërkund dhe e ka kuptuar që është mandati i tij i fundit në këtë post. Fatkeqësisht ai vendosi të lëshojë pe e të mos i mirëmbajë as arritjet e mandatit të parë. Prishtina vazhdon të jetë e ndotur, vazhdojnë ndërtimet pa kriter e leje, mungon zhvillimi urbanistik, infrastrukturor e mjedisor. Për shkak të verbërisë politike kryetari i komunës nuk u mor me problemet e qytetarëve, por luftoi kundër drejtorive më të suksesshme edhe sipas vëzhguesve dhe ekspertëve të huaj, e që ishin drejtoritë e LVV. (b.an)