Qeveria Gjermane është e mendimit se Shqipëria luan parimisht një rol pozitiv në rajon. Dhe se në Shqipëri nuk ka aktivitete ose parti që e mbështesin idenë e bashkimit me Kosovën. Këtë ajo e vë në dukje në një përgjigje ndaj një kërkese të vogël të deputetëve Markus Frohnmaier, Dietmar Friedhoff dhe grupit parlamentar “Alternativë për Gjermaninë” (AfD)
Gjermania thote se nuk mbeshtet bashkimin Shqipëri-Kosove.
AfD bën pyetje edhe lidhur me idenë e bashkimit etnik të shqiptarëve, ose siç quan ajo “Shqipëria e Madhe”.”Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës i lidhin marrëdhënie të ngushta bilaterale. Shqipëria e sheh gjuhën dhe kulturën shqipe si një pikë kontakti për bashkëpunimin ndërkufitar, sidomos me Kosovën”, përgjigjet Ministria e Jashtme.
Sipas informacioneve të qeverisë federale gjermane, në Shqipëri, nuk ka parti politike që mbështesin bashkimin e gjithë shqiptarëve etnikë në një shtet. “Në Kosovë është lëvizja opozitare „Vetevendosje” e vetmja që e mbron këtë ide. Kushtetuta e Kosovës megjithatë e përjashton mundësinë e bashkimit me një shtet tjetër. Qeveria federale e ka bërë të qartë disa herë se ajo nuk mbështet ndryshime territoriale në Ballkan mbi bazën e kritereve etnike.”
E pyetur rreth deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama në prill 2018 në lidhje me mundësinë e bashkimit me Kosovën, nëse mbyllen portat e BE-së, qeveria përgjigjet: “Në Shqipëri, sikurse edhe në vende të tjera të rajonit, diskutohen vazhdimisht alternativat e mundshme, në rast se nuk do të ketë anëtarësim në BE. Nga ana tjetër është e qartë se Shqipëria synon anëtarësimin në BE dhe po bën reformat e nevojshme për të”, përgjigjet qeveria.
a.ç