Punimet e ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë dhe aq të qeta. Ka qene ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar një ndryshim të vogël në deklaratën e përbashkët të ministrave të WB6.
Ky propozim nuk është pritur aq mirë nga ministri i Jashtëm i Bosnje Hercegovinës, Igor Crnadak, dhe përfaqësuesi serb në takim.
Burime nga takimi bëjnë me dije se kërkesa e Pacollit për respekt të ndërsjelltë për Kosovën në zbarimin e marrëveshjes CEFTA është mbështetur nga homologu shqiptar, Ditmir Bushati.
Mësohet se ministri i jashtëm shqiptar ka kërkuar një vendimmarrje pozitive për kërkesën e Pacollit, duke bërë thirrje për kompromis.
Debati ka vijuar dhe më tej, teksa ministri i Jashtëm shqiptar ka theksuar se nëse Bosnja dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë dhe për Shqiperinë dhe Kosovën është shumë e lehtë të kthehen tek qëndrimet kombëtare, por kjo nuk i shërben kompromisit.
Burime brenda takimit bëjnë të ditur se ministri shqiptar ka qenë mjaft i prerë. “Nëse për Serbinë e Bosnjen përbën problem futja e respektit të ndërsjellë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë Shqipëria qëndron në krahë të Kosovës dhe nuk pajtohet me asnjë deklaratë tjetër”, mësohet të ketë thënë Bushati.
Takimi i Budvës së WB6 i përfundoi punimet duke dalë me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus pas kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës për të pranuar ndryshimet e propozuara nga Kosova.
/b.d