Komisioni i Ligjeve miratoi dje paketën shtrënguese për personat që kanë kryer krime të rënda si organizatë kriminale dhe vuajnë dënimet në burgje. Ky ligj parashikon të prekë rreth 150 të burgosur. Për të prezantuar nismën e qeverisë, e pranishme në Komision ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila theksoi se miratimi i këtij ligji është i nevojshëm. “Nga puna operative e organeve ligjzbatuese dhe Policisë rezulton se elementët kriminalë që vuajnë dënimin në burgje vijojnë të ruajnë lidhjet e tyre me jashtë”, u shpreh ministrja.
PROJEKTLIGJI
Masat e projektligjit parashikojnë që nga kufizimi i takimeve një herë në muaj, deri te kufizimi i ajrosjes së të burgosurve. Në projektligj parashikohet se do të lejohet një takim familjar në muaj, i cili kryhet në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video.
“Me termin ‘familjarë’ nënkuptohen të paralindurit, të paslindurit, bashkëshortët dhe bashkëjetuesit. Në raste të jashtëzakonshme, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, kryhet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë. Ndërsa për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët kryhet vetëm me miratimin e prokurorit. Krahas kësaj, kufizimi parashikon se në rastet e mospasjes së takimeve, do të lejohet një telefonatë në muaj, me kohëzgjatje maksimale 10 minuta, e cila do të regjistrohet.
Kryerja e kësaj telefonate do të bëhet vetëm me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kurse për personat e paraburgosur, ajo autorizohet me vendim të arsyetuar të prokurorit”, theksohet në nismën ligjore.
Projektligji përcakton edhe ndalimin e përdorimit të vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë, si edhe kontrollin e korrespondencës. Masa tjetër që është parashikuar është edhe reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura për këtë kategori të burgosurish ose personash që janë në hetim dhe nën masën e arrestit me burg.
Në projektligj thuhet se reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura do të jetë më i kufizuar për këta persona, por jo më pak se një orë në ditë. Këta persona do të jenë gjithashtu të përjashtuar nga organet përfaqësuese të të dënuarve apo të paraburgosurve. Këto masa shtrënguese do të aplikohen për një vit për këta persona, duke i lënë të drejtën ministrit të Drejtësisë që ta zgjasë afatin edhe për më shumë.
ma.me