Harta Detare I e vitit 1455 për herë të parë udhëton jashtë Italisë. Janë bërë shumë përpjekje shtetërore midis dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë, që Harta e rrallë e realizuar nga hartografi gjovanez Bartolomeo Pareto për Papa Nikollën V, të ekspozohet në Qendrën për Hapje edhe Dialog në Tiranë. Arkitekti edhe studiuesi i hartografisë mesjetare, Artan Shkreli, rrëfen për kamerën e “Report TV” punën e bërë për ekspozimin e artefaktit të rrallë.
Zoti Shkreli, gjendemi përballë Hartës Detare të vitit 1455, për të cilën ju keni bërë një punë të gjatë përpara se ta sillnit, nga Roma në Shqipëri. A mund të na tregoni se si ka nisur ky udhëtim?
Zbulimi i kësaj harte ka qenë një lumturi e pashoqe për mua. Në një farë mënyre, mund të themi se ndodhi edhe rastësisht, por nga ana tjetër kjo rastësi e çau rrugën e vet përmes një pune shumë të madhe që kam bërë, duke parë hartat e vjetra, për të cilat po punoj edhe një libër, që ka të bëjë me historinë kartografike të Arbërisë. Libri që do të shikojë shumë shpejt dritën e botimit, merr fund me shfaqjen e shtypit në kartografi, pak a shumë me prodhimin e kësaj harte, sepse më pas Gutenbergu do të shpikë shtypin dhe hartat do të prodhohen në seri. Deri në këtë periudhë hartat ishin kopje unike dhe bëheshin me dorë, sidomos portulanët që janë të rralla për dy motive. E para, sepse difuzioni ka qenë shumë i vështirë. Edhe e dyta, sepse ruhej sekreti i bërjes së hartave portulane, ekskluziviteti i të cilave ka qenë në tre pika. E para, në Majorka të Spanjës, që ishte një qendër e prodhimit të hartave, në Venecia edhe në Gjenova. Në fakt këto ishin edhe tre fuqitë detare të kohës. Dy republikat italiane, Venecia me Gjenovën dhe Spanja, që ishte një fuqi e fortë detare.
Në parjen e qindrave hartave, sipas katologimeve ndërkombëtare ruhen rreth 350 harta detare, rashë edhe në studimin e kësaj harte. Kryesisht në studimin e bregdetit shqiptar, sepse shpeshherë gjurmët që janë lënë në histori janë ruajtur në toponimin e bregdetit shqiptar. Bota pjesën brenda, tokën, e njihte më pak. Më shumë njihte bregdetin. Prandaj, informacionin që merrej nga bregdeti ka qenë shumë më i rëndësishëm se informacioni që merrej brenda- tokë.
Jemi në një vit shumë të rëndësishëm të historisë së Europës, të cilat do të përcaktojnë gjeografinë, por edhe historinë e komitentit tonë, minimalisht për III apo IV shekujt e ardhshëm. Ky është një moment, kryqal, sepse është nga njëra anë Europa po rifiton pozicionet e saj në Spanjë, duke i përzënë arabët nga Spanja, të cilën ata e zotëronin për VI apo VII shekuj, por nga ana tjetër janë duke marrë pjesën juglindore të Europës, Gadishullin Ballkanik përmes inkursioneve të shumta pushtuese. Harta është e vitit 1455 e përgatitur nga Bartolomeo Pareto, i cili ishte një njeri i afërt i Papa Nikollës V. Në këtë pjesë të hartës shquhet stema e Nikolla V dhe pasaporta e hartës, ku shënohet se Bartolomeo Pareto përgatit këtë hartë për Nikolla V në vitin 1455 në Gjenovë. Dyshimet kur rashë në këtë hartë për të lexuar një toponim në brenda-tokën arbërore ishin shumë të forta, bëhej fjalë për emrin e Heroit tonë kombëtar.
Intervista e Plotë me Artan Shkreli
Është hera e parë që një toponim gjendet në një hartë të tillë…
Ekzakt. U detyrova që të ndërmarrë një rrugë në Romë, ku ruhej kjo hartë në Bibliotekën Kombëtare Qendrore të Romës. U shoqërova nga vet drejtori i Bibliotekës pas një korrespondence me të, u futëm në sektorin e hartave të rralla. U nxor kjo hartë nga ruajtjet e posaçme që kishte, gjë që njerëzit e zakonshëm nuk mund ta shikojnë pa autorizime speciale. Ka qenë një emocion i paparë kur vërtetova që në qendër të Ballkanit Jugor, midis Shqipërisë së sotme dhe Maqedonisë së sotme ishte shkruar Scanderbeco (Skënderbeu), që është emri me të cilin Gjergj Kastrioti njihej si luftëtar i madh.
Kjo më bëri shumë çudi, sepse është hera e parë që unë has, që në një hartë portulane, por qoftë edhe hartë gjeografike tjetër, të identifikohet një territor i gjerë me emrin e një njeriu. Kjo nuk ndodh, nuk ekziston. Mund të ketë ndonjë shembull të vogël në epokën e zbulimeve gjeografike, që ndonjë gadishull apo ishull mund të merrte emrin e zbuluesit, në vitin 1700-1800. Kjo ka të bëjë me zbulimin, por emri i një ushtaraku dhe regjenti të mbretërisë së Arbërit, Epirit dhe Maqedonisë, të shënohet në një territor gjeografik, ky është një rast unik.
E vetmja paralele që mund të bëjë unë, por që krejt për motive të tjera është emri i Amerucio Vespucio, të cilit iu dha pasi zbuloi se Amerika nuk ishte India, por ishte një kontinent tjetër.
Në këtë pikëpamje harta është unike për historinë tonë, por edhe për shkencat albanologjike. Jo vetëm nga pikëpamja kroshërore, por vërteton atë që shqiptarët e dinë shumë mirë, por që dimitizuesit janë përpjekur ta shkatërrojnë, se Skënderbeu nuk ishte një mit, apo për më tepër nuk ishte një mit, apo një gënjeshtër apo falsifikim që u ndërtua pas vdekjes së tij nga fuqitë e kohës, që u munduan ta evokojnë për interesat e veta. Nuk ishte një gjë e shpikur nga venedikasit, apo austro-hungarezët apo u përdorë nga fashistët, apo komunistët. Ai ishte një fenomen historik me impakt europian në të gjallë të tij. Edhe me një impakt shumë më të madh sa mund të mendohej, sa të zërë vend në një kohë reale në një hartë gjeografike. Gjë e rrallë, që nuk ndodh! Edhe ngjarje shumë të rëndësishme në harta gjeografike reflektohen disa vite apo disa dekada më vonë.
Në këtë hartë para dy vitesh kishte rënë Kostandinopoja edhe nuk ekziston asnjë flamur me të, ndërsa qytetet kryesore janë të gjithë me flamuj. Sepse, Europa nuk ishte e bindur, ose gjeografët nuk ishin të bindur, që t’i jepnin vulë osmane këtij qyteti, sepse mendonin se shumë shpejt një kryqëzat do ta rifitonte qytetin e humbur.
Flamujt osmanë mbi Kosndadinopojë shfaqen disa vite më pas, ndërsa emri i Skënderbeut shfaqet në kohën reale, në vitin 1455. Kur Papa Nikolla fillon bën atributet për t’i dhënë emrin mbret Skënderbeut.
Por, çfarë ndodhi që kjo nuk u realizua?
Ndërpritet nga vdekja e Nikolla V-të, i cili vdes në pranverën e këtij viti që bëhet harta. Praktik që e rimerr më vonë Papa Piu i II-të, i cili ishte edhe një humanist i madh i Rilindjes Europiane, por që edhe ai në momentin që shkon për shuguruar mbret vdes në Ancona gjatë rrugës së tij për të shkuar në Dalmaci. Moment që do të bëhej frontzimi i Gjergj Kastriotit mbret i Arbërisë, Maqedonisë dhe Epirit. Në këtë pikëpamje ne kemi dëshminë e gjallë, unike edhe të papërsëritshme në këtë hartë, se Skënderbeu (Scanderbeco) është një mur mbrojtës i vlerave të vjetra europiane.
Është debatuar shpeshherë për origjinën e Skënderbeut, luan rol zbulimi i emrit të tij në këtë hartë?
Natyrisht që kjo hartë, sot hapet një suazë e re. Për mendimin tim harta nuk e ndryshon historinë, ose të paktën historinë e Skënderbeut që njohim ne. Por kjo vetëm përforcon idenë e madhështisë nga njëra anë, edhe dimensionit shumë më të madh, sesa dimensioni arbëror i kësaj figure, që është një figurë europiane tek e fundit, pavarësisht nga përkatësia e tij etnike. Ashtu sikurse është munduar që të zvogëlohet madhësia edhe vërtetësia e figurës së tij, po ashtu është sulmuar edhe enticiteti i Skënderbeut, ku boshnjakët, grekët, serbët, maqedonasit janë munduar që ta bëjnë të vetin. Dikush nga gjyshi, dikush nga ëma etj. Por sa më shumë vendet rreth e rrotull përpiqen ta bëjnë të vetin, aq më shumë Skënderbeu mbetet një figurë qendrore arbërore, i cili bazën e ushtrisë së vet, të qëndresës dhe kryesisht popullin që udhëhoqi edhe ku u mbështet të ishin arbërit. Ai bëri të mundur që në almanakun e Gutenbergut, dokumentin më të rëndësishëm i kohës: “Albanezer, shkruan ai në gjermanishten e kohës, janë nga popujt qendror të Europës, të cilët ishin vënë pararojë në mbrojte të rrezikut osman”. Me Skënderbeun, Arbëria, shqiptarët dalin vrullshëm në teatrin e historisë. Më parë Albania ishte një ekspresion gjeografik, si Dalmacia apo Thraka, sepse pak njohje kishte për popullin që jetonte në këtë territor. Ndërsa, me Skënderbeun populli bëhet më i rëndësishëm se territori i vet, të qenit albanez në atë kohë është një pasaportë qytetarie, nderi në Europën e Shekullit XV. Natyrisht që jehona vazhdon edhe më vonë.
Mendoni se këto fakte duhet shtuar edhe në histori?
Kjo është një detyrë që u takon historianëve, është një fakt i paneglizhueshëm, dhe për më tepër është një fakt i lavdishëm, që në historinë tonë do të reflektohet.
Ekspozimi i hartës së rrallë Detare të vitit 1455 do të vazhdojë edhe për dy javë të tjera në Qendrën për Hapje edhe Dialog, COD.
ma.me