Kur bëhet fjalë për kancerin pulmonar, mjekët bien në një mëndje duke vendosur në krye të listës duhanpirjen, si një ndër faktorët kryesorë, që çon në shfaqjen e kësaj sëmundjeje.
Sipas mjekes onkologe Anila Pema, numri i të prekurve ka ardhur duke u rritur vit pas viti si rezultat i drejtpërdrejtë i shtimit të ndjeshëm të personave që konsumojnë duhan. “Ndaj edhe lënia e duhanit ul gradualisht rrezikun për kancer mushkërie”, shprehet Pema. Në një intervistë dhënë për gazetën, doktoresha ndalet edhe te shenjat që shfaq sëmundja si edhe metodat e trajtimit që aplikohen sot në QSUT. Sipas saj, janë rreth 600 deri në 700 raste të reja që diagnostikohen çdo vit me kancer pulmonar.
Numri i të prekurve nga kanceri i mushkërive ka ardhur në rritje vit pas viti. A mund të ndalemi te faktorët që kanë ndikuar?
Kanceri i mushkërisë është kanceri më i shpeshtë në botë. Janë llogaritur rreth 1.2 milionë raste të reja në 2000, që përbëjnë 12.3% të të gjitha rasteve të reja të çdo kanceri. Haset 52% në vendet e zhvilluara dhe 48% në ato në zhvillim. Por ky raport shumë shpejt mund të invertohet për shkak të uljes së numrit të duhanpirësve aktive e pasive në vendet e zhvilluara. Më i shpeshtë në meshkuj (75%). Incidencë të lartë ka Europa Lindore, Amerika e veriut, Australia, New Zealanda dhe Amerika Jugore. Incidenca në Kinë, Japoni dhe në Azinë Juglindore mbetet mesatarisht e lartë përsa u përket faktorëve që kanë kontribuar në këtë shpërndarje. Faktor kryesor mbetet duhanpirja, por në një shkallë më të ulët edhe ndotja mjedisore dhe e ambienteve të punës, si edhe faktori gjenetik. Falë politikave shëndetësore të viteve të fundit, në vendet e zhvilluara ka një ulje të rasteve qoftë nëpërmjet ndërgjegjësimit të popullatës për rolin kyç të duhanpirjes në shkaktimin e kancerit pulmonar, por edhe nëpërmjet ndalimit të konsumimit të tij në ambiente publike apo rritjes së akcizës që ka rritur çmimin e duhanit. Ndryshe paraqitet situata në vendet në zhvillim, edhe në Shqipëri ku vihet re një rritje e numrit të grave duhanpirëse dhe për pasojë, rritjes së numrit të kancerit pulmonar në gra. Gjithashtu, edhe duhanpirja në moshat shkollore pritet të ketë ndikimin e vet në vitet në vazhdim.
Duhanpirja, ndotja ambientale kanë ekzistuar edhe me parë, çfarë ka ndryshuar?
Në fakt, kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Duket e pabesueshme, por kanceri i mushkërisë ka qenë i rrallë në fillim të viteve 1900 dhe ajo që ndodhi më pas korrelon plotësisht me rritjen e numrit të cigareve të konsumuara. Ndonëse përbën rreth 15 % të të gjithë kancerave, vdekshmëria nga kanceri pulmonar përbën 30% të vdekjeve nga kanceri në botë, që do të thotë që më shumë pacientë vdesin nga kanceri pulmonar çdo vit sesa nga gjiri, zorra e trashë, prostata dhe pankreasi së bashku. Duke qenë se mbijetesa 5-vjeçare nga ky kancer është mjaft e ulët, atëherë kjo patologji mbetet alarmante. Rol në këtë rritje ka edhe ndotja e ambientit, veçanërisht atij urban.
Sa raste të reja janë diagnostikuar në 6-mujorin e parë të këtij viti nëse keni të dhëna?
Të dhëna të sakta nuk ka, pasi akoma në Shqipëri nuk ka një regjistër funksional dhe të unifikuar të kancerit. Të dhënat vijnë të shkëputura nga shërbimi onkologjik SUSM “Shefqet Ndroqi” dhe Instituti i Shëndetit Publik. Të dhëna të përafërta flasin për afër 600-700 pacientë të diagnostikuar çdo vit me kancer pulmonar.
Kur bëhet fjalë për tumoret malinje, për fat të keq, diagnostikimi i hershëm apo i vonë nuk bën ndryshim. Cilat janë shenjat që duhet të na orientojnë drejt kësaj patologjie?
Përsëri këtu nuk jeni të saktë. Për çdo tumor ka vlerë kapja në stade të hershme, pavarësisht prognozës së errët, mbijetesa 5-vjeçare ulet mjaft me rritjen e stadit të sëmundjes. Në stadet e para e të dyta, mundësia për kirurgji kurative nënkupton më shumë shans për mbijetesë. Sidoqoftë, nuk ka ende një metodë screening për kancerin pulmonar, por kontrolle të rrepta dhe përdorimi i skanerit me dozë të ulët në pacientët duhanpirës të rëndë, pra mbi 15 vjet mbi 10 paketa në vit. Shenjat kryesore që duhet të shqetësojnë një duhanpirës kronik janë kollë mbi 4 javë sputum me rrema gjaku, dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje etj. Por theksoj që duhanpirësit kronikë nuk duhet të hezitojnë të shkojnë të mjeku. Gjithashtu, lënia e duhanit ul gradualisht rrezikun për kancer mushkërie.
Cilat janë skema e mjekimit që ndiqen aktualisht në QSUT dhe sa rezultative janë ato?
Mjekimi i kancerit të mushkërisë është shumëplanësh. Ai ka 2 komponentë mjaft të rëndësishëm: trajtimi sipas stadit dhe trajtimi i personalizuar. Falë zhvillimeve të dekadës së fundit në biologjinë molekulare gjenetike dhe farmaceutike, trajtimi është përmirësuar ndjeshëm. Në stadet e hershme të sëmundjes, i një rëndësie të madhe mbetet trajtimi kirurgjikal, i cili në vendin tonë realizohet nga kirurgët torakalë. Synimi i kirurgjisë mbetet heqja e sëmundjes në kufij të shëndoshë dhe heqja gjithashtu e limfonodulave në afërsi të tumorit. Kjo mund të realizohet nëpërmjet teknikave të ndryshme që shkojnë nga heqja e një lobi e deri në heqjen e mushkërisë së sëmurë. Ka raste kur fillohet me 2-3 cikle trajtim me kimioterapi në mënyrë që tumori të zvogëlohet e më pas të mund të jetë më efikas operacioni. Në raste të tjera jo operable ka vend edhe trajtimi i kombinuar me radio dhe kimioterapi. Një sfidë mbetet edhe trajtimi i kancerit pulmonar të avancuar në stad të katërt. Qëllimi në këto raste është përmirësimi i cilësisë së jetës dhe zgjatja e mbijetesës. Këtu hyn edhe koncepti i terapisë sistemike të personalizuar. Pra, para se pacienti të fillojë mjekimin, veç biopsisë standarde materiali biotik u nënshtrohet edhe një sërë ekzaminimesh imunohistokimike dhe gjenetike, të cilat profilizojnë tumorin. Pra, nga ky informacion ne kuptojmë kush është anomalia gjenetike në formimin e kancerit. Tipizimi i kësaj anomalie mundëson përdorimin e terapive novatore, të cilat veprojnë si çelësi me bravën me receptorë të veçantë të qelizës tumorale. Kështu, prej vitesh ka gjetur përdorim edhe në Shqipëri në adenocarcinomen pulmonare me mutacion të receptorit EGF medikamenti erlotinib. Më rrallë janë përdorur edhe medikamente që shënjestrojnë receptorin ALK apo edhe analoget e somatostatinës në tumoret neuroendocrine apo karcinoidin pulmonar. Një risi e viteve të fundit është edhe evidentimi në qelizat tumorale dhe mjedisin ku ato rriten e një mutacioni që e bën qelizën tumorale t’i shpëtojë luftës së qelizave tona limfocitare. Kjo çon në pamundësi të organizmit për të luftuar tumorin e për pasojë zhvillim të sëmundjes. Pikërisht sivjet, çmimi Nobel në shëndetësi iu akordua mjekut imunolog që evidentoi këtë anomali. Aktualisht në botë po gjejnë përdorim gjithmonë e më të gjerë edhe terapi të tilla, që bllokojnë pikërisht këto pika kyçe të zhvillimit tumoral e njihen si terapi imunologjike, si p.sh. atezolizumab, pembrolizumab nivolumab etj. Shpresojmë që së shpejti këto medikamente të jenë pjesë e armatës gjithmonë në rritje të mjekimeve antitumorale. E falë këtyre mjekimeve të kemi mundësi të përmirësojmë prognozën e këtyre të sëmurëve e t’i ndihmojmë të jetojnë më gjatë.
SHENJAT QË SHFAQ KANCERI PULMONAR
Kolla e zgjatur mbi 4 javë sputum me rrema gjaku
Dhimbje gjoksi
Vështirësi në frymëmarrje
Ngjirjet e zërit
Të vjellat
Rënia në peshë
Anoreksia
Dhimbje kockore
Çrregullime të sistemit nervor etj.