Nga Zefina Hasani/
(Siç e thotë dhe Besnik Mustafaj në një rrëfim me Arta Marku Qëndro)
Pak ditë më parë, përgjatë së njëjtës ditë, më ndodhi të marr tre ngacmime të ndryshme, njërën më të fortë se tjetrën, njërën më të ndryshme se tjetrën, por që më depërtuan deri në stomak me të njëjtën dhimbje: për prindërit, për familjen.
I pari ishte mesazhi i gocës së dajës, që prej pak muajsh ka zgjedhur të lerë Athinën e të provojë jetën në Londër, mes lotësh e mërzisë që ia ka ndjellë, që në ditën e parë të ikjës, mungesa e familjes. “Mirë është jeta këtu, shyqyr, veç problemi është familja. Akoma nuk jam mësuar. Shkoj duke qarë nga gëzimi, e vij duke qarë nga mërzitja. S’është mirë kur e ke gjithë kohës familjen në mendje. Unë shoh njerëzit këtu që e kanë më të lehtë, se nuk bëjnë farë për njëri- tjetrin”- më shkroi që në mëngjes, pasi e pyeta si i kish shkuar rruga e kthimit në Londër, pas disa ditë pushimesh në Athinë, në shtëpi. “Mos thuaj kështu. Eshtë shumë mirë ta kesh mendjen gjithmonë tek familja. Nuk ka si familja”- i thashë, ndërsa ajo ma ktheu bindshëm- “Yes yes, për Zotin nuk ka”.
Irisa i përket këtij brezit të ri, moskokëçarës për familjen e prindërit, ndaj më mahnit sa herë e shoh e sa herë ma shpreh përgjërimin që ajo ka për të vetët. Ajo është ndryshe, ndaj e dua 100 herë më shumë për këtë fakt. Po aq sa dua faktin se sa mirë është kur rritesh me një frymë të tillë, me një nevojë të tillë, e për këtë unë ua di për nder prindërve të saj, dhe gjyshërve të saj (që janë edhe të mitë. Nuk ja shkrova, por këtë po mendoja, ndërsa mbylla chat-in me të, me emoji 😘😘, me puthje e zemra pafund.
Gjatë mesditës, ulur përpara kompjuterit, duke klikuar herë pas herë mbi lajmet, më erdhi ai, ngacmimi i dytë: një lajm i tmerrshëm për një çift të moshuarish që prej 5 ditësh qëndronin në qiell të hapur, në mes të qytetit të Kavajës, të nxjerrë jashtë nga fëmijët, të braktisur në rrugë të madhe.
Një lajm i tillë që s’është as i pari e as i fundit për fat të keq, më ndjell të njëjtën çudi: Po si ka mundësi!? Si mund të ndodhë të mos kujdesesh për nënën e babën tënd, se që ta nxjerrësh jashtë s’ka sesi ta kesh shpirtin e mendjen në rregull!? Asnjë arsye, asnjë marrëdhënie e cënuar apo dhe e degraduar mes fëmijës dhe prindit, nuk duhet e nuk mund të shtyjë askënd drejt këtij lloj mohimi e përpuzje, ndaj të pamundurve, ndaj të pafuqishëmve. Sido që të kenë shkuar punët në atë shtëpi, sido që të jenë ata prindër, mjafton që të kanë bërë kokën e të kanë sjellë në jetë, që t’jua dish kaq për nder. S’ka rëndësi kur ata s’janë të përsosurit, s’ka fare po fare rëndësi kur ata nuk të japin dot më asgjë, ndoshta as dashuri e përkujdesje, sepse jeta e vështirë mund t’i ketë bërë pa shpirt, e pa aftësinë për të prindëruar ashtu siç duhet. S’ka pikë rëndësie kur ata s’janë prindërit që do të kishe dashur të kishe. Ata janë të tutë, dhe pikë!
Akoma s’më kish ikur ngatërrimi në stomak prej këtij ngacmimi, kur, në darkë vonë, u ula të lexoj faqet e rradhës së rrëfimit që Besnik Mustafaj ka bërë në bashkëbisedim me Arta Markun (gazetaren, sigurisht, jo prokuroren) në librin “Letrat e mia kredenciale”, botuar nga “Toena”. Ishte rastësia më e bukur, ngacmimi i tretë në fundin e kësaj dite. Ndaj lexova qetësisht, gjithë qejf pyetjen e Artës, fiks për atë që kisha bluajtur gjithë ditën e ditës, për admirimin ndaj prindërve…. “Në një intervistë keni folur për admirimin e prindërve. A i takon admirimi, fëmijërisë? A ka shkuar adoleshenca juaj paralel me zbulimin e papërsosmërisë prindërore? A ka shkuar rritja paralel me faljen e papërsosmërive? A është e mundur të bëni një analizë të distancuar?”
Pastaj lexova po aq me qejf përgjigjen e shtruar të Besnikut, që të fragmentarizuar po e rishkruaj këtu- “Gjëja që më mërzit më shumë në këtë moshë, është mplakja e prindërve…. Unë e kam ruajtur deri në fund admirimin për ta. Nuk e di nëse ky fakt ka qenë benefik apo i dëmshëm për personalitetin tim, por kështu jam ndier mirë dhe, në fund të fundit kjo ka rëndësi…. Babai im ka qenë gjithmonë natyrë e tillë, që nuk ia ka lejuar kurrë vetes të prishë qejf me mua e as me vëllezërit e mi. Që do të thotë se thellë – thellë, as ai nuk ka qenë një baba i vërtetë tropojan. Unë ia di për nder atij burri që nuk m’i ka shpalosur me tepri papërsosmëritë e veta. Kështu ndihem më rehat në kujtimet e gjalla që ruaj për të”.
Kështu duhet të ndjehet çdo djalë e vajzë. Të mërzitet pse po i mplaken prindërit, të ruajnë admirimin për ta deri në fund. T’ua dijnë për nder për gjithçka kanë bërë e s’kanë mundur ta bëjnë, edhe kur jua shpalosin me tepri papërsosmëritë e veta.
Përgjigjia e Besnikut shtjellonte më tej edhe marrëdhënien me nënën e tij, ngjizur me një tjetër formë adhurimi. E lashë aty leximin për atë natë. Mbylla librin me çudinë që më krijoi butësia e djalit prej Tropoje, të rritur në kullën e gurtë e tradicionale, që s’ua kish ftohur aspak, mesadukej, ndjenjën për familjen; e djalit që gjithsesi e kishte ndrojën se mos e gjithë kjo dashuri për prindërit ja zhbënte burrërinë.
Pastaj kalova në leximin e mendimeve të mia. Më kapiti gjumi ëmbël, prej përgjigjes që formulova nëse Arta do të ma kish bërë edhe mua atë pyetje: Në çdo sekond, orë e ditë të jetës sime krah tyre, jam mbushur plot, me emocione nga më ekstremet, ç’ka ma ka bërë mardhënien e jetën me ta, më të vërtetë, më të larmishme. Mami ka sakrifikuar shumë për mua (dhe vëllain tim, Drinin), nuk e ka njohur ose më mirë të them se ka afruar kurrë ndjenjën e egoizimit, duke na vënë gjithmonë neve dhe shtëpinë në plan të parë. Babi ka qenë mentori ynë por ama dhe njeriu që gërricej e luante aq fort me ne, sa harronim se në fakt ishte babai para së cilit s’duhej ta lëshoje gojën aq pa teklif, gjë që ai na e lejonte për aq kohë sa rrinte në rolin e shokut. A kishin ata papërsosmëritë e veta? Po, por siç e thotë aq bukur Besniku, nuk na e kanë shpalosur me tepri e për këtë edhe unë ua di fort për nder.
Kështu edhe unë ndihem më rehat në marrëdhënien që po përpiqem ta bëj çdo ditë e më të ngushtë me mamin, si dhe në kujtimet e gjalla që ruaj për atë, babin, që s’është më.
Jam e bindur se kështu do të ndjehet edhe goca e dajës tim, që ka shpëtuar nga sëmundja e ftohtësisë dhe papërgjeshmërisë që ka kapluar brezin e saj. Nëse do të ndjeheshin kështu, qoftë dhe për një moment, ata që braktisin në rrugë prindërit, të tilla lajme nuk do të mbërrinin kurrë më tek ne.
Të duash, të kujdesesh e të kesh merak për prindërit mund të të lëkundë në dilemën e madhe nëse është e mirë apo e dëmshme kjo gjë për personalitetin tënd. Por siç e saktëson dhe Besnik Mustafaj, nëse të bën të ndjehesh mirë, në fund të fundit vetëm kjo ka rëndësi.