Nga Alfred Peza
Ka një përputhje gati gati të pabesueshme, mes axhendës së opozitës “për ta rrëzuar” me çdo kusht Edi Ramën, me atë të të ndërkombëtarëve për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Mund të jetë edhe rastësi, ashtu siç mund të jetë një përkim krejt i pafashëm. Por e vërteta është se ato po rrugëtojnë, po vrapojnë, po ecin paralel e në një mënyrë pabesueshmërisht “harmonike” e të sinkronizuar, si të ishin dy shinat e së njëjtës locomotive, që dikton edhe axhendën e zhvillimeve kryesore politike në vend.
Për shkak të një kalendari shpeshherë të hartuar me sforcim, nga rrethana të paparashikueshme për një reformë kaq të thellë e komplekse sa ajo që është ndërmarë, procesi i vettingut për filtrimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të stemit të vjetër, ka krijuar nga njëra anë një bllokim të përkohshëm të punës në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Kjo pasi një pjesë e anëtarëve të këtyre dy institucioneve nuk e kaluan vettingun dhe ato nuk kanë për momentin, korumin e nevojshëm për të marë vendime.
Nga ana tjetër, ai po e çon përpara këtë proces, me konfirmimi i kandidatëve që rezultuan të pastër e që do të jenë pas kësaj, pjesë e sistemit të ri të drejtësisë. Tani sapo është hapur drita jeshile, për të nisur procedurat praktike që do të çojnë në ngritjen e dy institcioneve më kyçe të reformës: Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Brenda tri ditësh, Komisioni i Pavarur i Kulaifikimit (KPK) ose shkalla e parë e procesit të vettingut, ka detyrimin që ti përcjellë listat me kandidatët që e kaluan këtë proces. Lista me prokurorët që rezultuan të pastër dhe që kanë kandiduar për të qenë anëtarë të KLP, iu dorëzua Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërsa lista me emrat e gjyqtarëve të pastër që kanë kandiduar për të qenë anëtarë të KLGJ, i është dorëzuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Menjëherë sapo ka marë njoftimin nga KPK, Kryeprokurorja Arta Marku fiksoi datën 11 dhjetor për të thirrur mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, nga ku pritet të konkludohet sipas procedurës ligjore, me kostituimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ngritja e KLP dhe e KLGJ janë shumë të rëndësishme, për arësyen e thjeshtë se me fillimin e funksionimit të tyre, vihet në levizje i gjithë mekanizmi gjigand për krijimin e organeve të reja që parashkin reforma në drejtësi, në mënyrë që sistemi të plotësohet dhe të funksionojnë si një i tërë, në të gjitha hallkat e tij.
Cilat janë hapat e parë që do të hidhen pas konstituimit të KLP dhe KLGJ?
Së pari, ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë i hap rrugë zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Përhershëm. E bashkë me këtë, bëhet ngritja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Nga ky organ kyç, do të varet më pas dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Këto dy organe, do të meren direkt me hetimin dhe ngritjen e akuzave për krimin e zyrtarëve më të lartë dhe mafian. Ato janë edhe dy organet që priten më me padurim nga SHBA dhe BE, por mbi të gjitha nga opinioni publik shqiptar.
SPAK dhe BKH besohet se më në fund, do të shënojnë kthesën e madhe dhe vendimtare, në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të politikës dhe kundër krimit të organizuar e të sofistikuar shqiptar. Ngritja dhe funksionimi normal i këtyre institucione, besohet se është frika dhe makthi më i madh i gjithë atyre që kanë kryer krime në këto 28 vjet në Shqipëri dhe që nuk u hetuan e ndëshkuan kurrë, për shkak të kulturës së pandëshkueshmërisë së ngritur prej tyre, në sistem.
Së dyti, ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të zëvendësojë rolin e funksionet që ka luajtur dhe ushtruar deri më tani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD). Detyra numër një e tij, është rikthimi sa më parë në normalitet, i funksionimit të gjyqësorit.
Sipas logjikës proceduriale që përcakton ligji, KLP dhe KLGJ do të duhet të ngrihen brenda 15 dhjetorit të këtij viti, e më pas edhe institucionet e tjera. Deri në pranverë të 2019, sistemi i ri i drejtësisë sëbashku me institucionet e saj, nisin një udhën e re me shpresën se më në fund edhe në këtë vend, do të mund të bëhet një drejtësi e drejtë. Për të rikthyer shpresën jo vetëm tek sistemi, por mbi të gjitha, tek Shqipëria se edhe ky vend mund të bëhet një ditë siç e duan të gjithë. Kuptohet: Përveç atyre që i frikësohen aq shumë, drejtësisë së re!