Nga një ndërtesë e ngritur mbi pusetën e ujërave të zeza, në një shtëpi komode, të mobiluar dhe me të gjitha pajisjet e nevojshme shtëpiake.
Kjo është historia e çiftit të të moshuarve Demir e Violeta Isufaj dhe tre nipërve e mbesave të tyre, Sabina, Redoni dhe Irini Gjoka, të cilët u sistemuan në banesat sociale të Shkozës nga bashkia e Tiranës pasi shtëpia e tyre pa leje te rrethrrotullimi “Shqiponja” prekej nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe.
Një nga mysafirët e parë në shtëpinë e tyre të re ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili teksa i uroi për strehëzën e ngrohtë, tha se të gjithë ata banorë që do pranojnë të strehohen në banesa sociale do t’i përdorin ato pa afat.
“Është më mirë t’i shfrytëzojmë maksimalisht këto banesa. Takova disa miq nga Tropoja, Kukësi, në fillim e nisëm si kundërshtarë në sy të njëri-tjetrit, tani jemi bërë shokë. Secili të sistemohet: Edhe rruga bëhet, edhe njerëzit marrin një banesë, edhe këtu mund të rrinë, se ajo pagesa ‘cash’, ajo është për tre vjet, kurse kjo banesë sociale e kemi vetë në dorë, këtu mund të rrish tërë jetën, merr një kontratë dhe mund të rrinë sa të duan”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se krahas banesës bashkia ka mundësuar edhe të gjitha lehtësirat e tjera për një jetesë sa më të mirë.
Veliaj u shpreh se tashmë shumë banorë të tjerë të zonës së “Astirit” janë të bindur se rruga është një domosdoshmëri, duke pranuar edhe zgjidhjet që ka ofruar Bashkia e Tiranës.
“Prita gjithë ata të Astirit, komunitetin e tropojanëve. Ata burra zotërinj, thanë: O vëlla, ne kemi qenë me PD-në, grup seksioni të PD-së, kryetar të PD-së, kandidatë të PD-së, por e di çfarë? Nëse kjo punë do bëhet, të bëhet mirë, nuk ma ndjen për ta. Se kur partia nuk erdhi të më ndihmonte në gjithë këto gjëra, por kujtohet tani që s’e mbështet më njeri, unë të jap dorën!”, tregoi Veliaj.
Gjithashtu, ai tha se një pjesë e banorëve po përdoren nga politika, e cila vetëm hallin e tyre nuk ka.
“Njerëzit nuk janë budallenj, mund të mos kenë doktoratura, por njerëzit nuk janë budallenj. Kur shikojnë njerëzit thonë: Ore më fal, po ku ke qenë ti ndonjëherë për mua? Kur më ke dhënë një shtëpi, kur ke bërë një punë? Kështu që, edhe atyre u ka dalë boja, tani fatkeqësia jonë është se duhet t’i durojmë, se kjo është demokraci, do durosh edhe atë që mendon ndryshe nga ty. Kur ti sheh disa kalamaj të llastuar që zbresin nga Range Rover-i i tyre dhe thonë: Dua për të varfërit. Do ti për të varfërit? Po pse nuk voton në Këshill Bashkiak ndihmën ekonomike? Pse nuk voton banesat sociale? Pse nuk shkon në parlament për ndihmën ekonomike? Ata kanë vetëm këtë hall: A do jetë partia jonë në pushtet apo jo?”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se partia që sot organizon protestat kundër projektit të Unazës së Madhe, deri para pak vitesh nuk ishte e aftë të shpërndante as banesat sociale. Ndërsa, theksoi se qëndrimi që mban sot për protestën është për të fituar disa vota më shumë. “I kam parë në çadër, por nuk u futën ata në çadër, nuk futen ata në çadër për punët e popullit, ata futen vetëm për hallet e veta. Ata thonë: Të bëhet rrëmujë te çadra, te teatri, te unaza, te lodrat, të bëhet rrëmujë, të vijmë ne në pushtet. Ore po ti ishe në pushtet, e kishe mundësinë ta bëjë vetë, pse s’e bëre?”, shtoi Veliaj.
Ndërsa, 83-vjeçari Demir Isufaj u shpreh i kënaqur me kushtet dhe trajtimin e bërë nga punonjësit social të Bashkisë së Tiranës.
/b.d