Nga Alfred Peza
Sa më shumë që shtohet zhurma e opozitës sonë këto ditë, për çështjen e ndërtimeve që do të preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe të Tiranës, aq më tepër zbulohet një hall krejt tjetër i saj. Ajo që po kuptohet më mirë dhe shihet më qartë është fakti se PD, po kërkon që nëpërmjet protestës së banorëve të “Astirit”, ta largojë sa më shumë vemendjen nga procesi i zgjedhjeve të reja brenda strukturave të saj drejtuese. Sa më shumë pakënaqësi dhe zhgënjim që po prodhohet përgjatë procesit të zgjedhjes së kryetarëve të degëve të PD në bazë, aq më shumë zhurmë po prodhohet në qendër, për ta mbytur atë.
Kjo bën që të shihet e të analizohet më me vëmendje, ajo që ish nën Kryetari i kësaj Partie, dhe kreu i grupit të saj Parlamentar Astrit Patozi, e quajti “farsa e re e Lulzim Bashës”. Për të cilën ai iu drejtua demokratëve të thjeshtë të Shqipërisë, duke i kujtuar se kjo farsë e kryetarit, nuk është procesi i tyre. Ndaj le ta sqarojmë pak më thejshtë se përse Partia Demokratike këto ditë, nuk ka hallin e protestës së “Astirit”, por atë të farsës për të cilën e ka fjalën Astriti!
Sipas një urdhëri të brendshëm me firmën e Lulzim Bashës, nga 23 nëntori deri më 2 dhjetor, (edhe përgjatë ditëve të festave të nëntorit) po mbahen zgjedhjet për Kryetarët e rinj të Degëve të Partisë Demokratike. Pas kësaj bëhet edhe kostituimi i kryesive të degëve, ku bëjnë pjesë kryetarët e sapo zgjedhur, sekretarët ekzistues dhe kryetarët e zgjedhur të grupseksioneve në bazën e PD.
Astrit Patozi shkruan se ka marë informacion nga anëtarët e thjeshtë dhe se ata janë të shqetësuar pasi këto zgjedhje të befasishme, po shoqërohen me shkelje të rënda statutore, prej nga nuk pritet asnjë produkt politik pozitiv, por thjeshtë po realizohet kalçifikimi i statuskuosë së një partie “të marrë peng nga një njeri i vetëm”.
Në këto kushte, ai i bëri thirrje anëtarëve që ti qëndrojnë larg kësaj farse duke i kërkuar që ta injorojnë atë “si një zgjebe të pamerituar për qindra mijëra demokratët, që kanë kontribute dhe sakrifica të panumërta në historinë e gjatë të Partisë Demokratike”. Patozi konkludon duke ia bërë të qartë demokratëve se “vota juaj nuk ka asnjë vlerë, si kur hidhet, ashtu edhe kur mungon. Dhe në këto kushte njeriu i bën vetë llogaritë, në ia vlen apo jo që të ndjekësh një rrugë të deformuar, që nuk ka lidhje as me fitoren dhe as me integritetin politik.”
Ish Nr. 2 i Partisë Demokratike bën përgjegjës për këtë farsë të re, Kryetarin Basha, i cili sipas tij “nuk e ka për turp fare që, pasi vjedh shtëpinë e vet, të bërtasë “kapeni hajdutin” duke treguar me gisht nga komshiun”.
Nisur nga kjo analizë dhe nga këto akuza, por edhe nga fakti se në 2017 nën drejtimin e Lulzim Bashës, PD mori 240 mijë vota më pak sesa kur drejtohej nga Berisha më 2013, si dhe nga emrat e kryetarëve të rinj të degëve që janë zgjedhur deri tani nga ky proces, që po tentohet të mbahet larg vëmendjes së publikut dhe mediave, duke ngritur në kupë të qiellit nivelin e zhurmës tek Unaza e Madhe, e kuptojmë edhe më mirë hallin e opozitës sonë.
Tani është më e thjeshtë të kuptohet se Partia Demokratike nuk e paska fare mendjen tek halli i “Astirit” por tek “farsa” e Astritit. Tek ajo farsë që ai dhe shumë demokratë të thjeshtë e kanë denoncuar dhe po e denoncojnë çdo ditë. Sepse pasi të mbarojë edhe halli i zgjedhjeve brenda në PD, me siguri si shumë “kauza” të tjera të nisura me “tam tame”-t e tanishme, edhe kjo e radhës duket se do të përfundojë në hiç. E atëherë kur të mos i shihni më tek Unaza liderët e opozitës, do të kuptoni se PD e ka zgjidhur hallin e saj të madh. Vetëm atëherë ndoshta edhe banorët e “Astirit”, do të kuptojnë se halli i PD-së paska qenë edhe i tyre. Ndërsa halli i shtëpive pas kësaj, do të jetë si edhe më pare, vetëm i tyri!
a.ç