11 të arrestuarit e protestës të së enjtes kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata u arrestuan të enjten, pas protestës që zhvilluan para parlamentit kundër ndërtimit të Unazës së Re, e cila degjeneroi në dhunë.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 6 prej të arrestuarve, ndërsa për 5 të tjerët, hetim në gjendje të lirë.
Para gjykatës pritet të dalë edhe 18-vjeçari Daniel Drobaj, i cili akuzohet si personi që hodhi kapsolla në drejtim të efektivëve të policisë, duke dëmtuar rëndë efektiven Ina Nuka.
Gjatë protestës të së enjtes mbetën të plagosur 15 punonjës policie edhe 3 protestues. Policja Nuka u transferua për mjekim të specializuar në një spital të Turqisë.
Seanca ndaj të arrestuarve nisi në orën 11:00. Jashtë Gjykatës së Tiranës ndodheshin familjarë dhe banorë të zonës së Astirit, ashtu sikurse edhe deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Para nisjes së seancës nuk munguan momentet e tensionit mes deputetëve të opozitës dhe forcave të policisë.
***
Deputetët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Edi Paloka, Aldo Bumçi, dhe Romeo Gurakuqi, kanë tentuar të hyjnë me forcë brenda Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku po zhvillohet seanca në ngarkim të protestuesve që dhunuan policinë 2 ditë më parë në Kuvend.
Pas disa minutash debat, ata janë lejuar nga Policia e Shtetit që të hyjnë në gjyq.
a.ç