Presioni i Bashkimit Evropian për t’u tërhequr nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk e ka zmbrapsur Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se masat që janë vendosur për këto produkte duhet të jenë të përhershme derisa Serbia ta njohë Kosovën shtet të pavarur, shkruan Koha Ditore.Tërheqja e kësaj mase, sipas tij, do të ishte heqje dorë nga vetvetja. Përfaqësues të Qeverisë kanë paralajmëruar edhe masa të tjera karshi Serbisë.
Ndërkohë, vetëm gjatë ditës së enjte, mbi 20 maune me mallra nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina pasi janë informuar për taksën e vendosur janë kthyer mbrapa për në vendin e origjinës. Disa prej tyre janë kthyer edhe shkaku i deklaracioneve që nuk njohin shtetësinë e Kosovës.
Pas kësaj, përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë kanë rritur komunikimin me bizneset dhe partnerët ndërkombëtarë, për krijim të alternativave për furnizim emergjent dhe afatgjatë, përgatiti Koha. (b.an)