Ndërsa Liga e Kombeve ka dhënë verdiktet e saj, më datën 2 dhjetor, në mesditë, në Dublin, do të hidhet shorti për të njohur ndarjen e grupeve për eliminatoret e Europianit 2020. Vazot e UEFA-s janë zbardhur, por ato do të plotësohen në vazhdim, duke qenë se gjithçka varet nga katër fitueset e Ligave respektive që do të dhurojë Liga e Kombeve.
Aktualisht, nëse Kosova është për momentin e vendosur në vazon e pestë, ky fakt mund të ndryshojë dhe Kosova del automatikisht nga kjo, nëse arrin që të fitojë “play-off”-et e Ligës D, pasi duke fituar sfidën e këtij grupi, ka shansin që të kualifikohet automatikisht për në “Euro 2020”. Ndërsa, Shqipëria, e cila është e vendosur në vazon e katërt, do të mund të përballet me të gjitha rivalet e mundshme, që i garanton ndarja e vazove (pra edhe skuadra të mëdha si Italia, Gjermania, etj), por siç shpjegohet më poshtë.
Paraprakisht, UEFA ka vendosur që të bëjë me dije të 55-ta kombëtaret pjesëmarrëse në këtë garë, të cilat do të luftojnë për 24 vendet e mundshme, por me ndryshimin e vetëm që për kompeticionin kontinental të pas dy viteve, nuk do të ketë një fazë “play-off”-i, siç ndodhi në edicionin e kaluar të Europianit apo si ai i Botërorit që pa (për shembull) Italinë që të mbetej jashtë nga Suedia.
RREGULLORJA
Kjo fazë “play-off” që Europiani e ofronte pas varianteve që ofronin grupet eliminatore të vjetra, zëvendësohet nga të gjitha skuadrat e kualifikuara si të parat nga katër Ligat e turneut të Ligës së Kombeve, ku secila prej fitueseve të Ligave respektive do të bëjnë një fazë “play-off” mes tyre dhe fitueset e Ligës A, B, C dhe D do të kenë mundësinë që të kualifikohet direkt.
E shpjeguar më konkretisht, Kosova, e cila ka arritur që të fitojë betejën e Grupit 3 të Ligës D, do të bëjë “play-off” me Gjeorgjinë, ose Maqedoninë e Bjellorusinë (do të vendoset sot), një tjetër miniturne që do të kërkojë një fituese, ku ajo që do të mposhtë rivalet direkte dhe do të fitojë betejën totale të Ligës D, do të mund të kualifikohet direkt për në Europian.
Dhe pikërisht për këtë arsye, UEFA vendosi që të ndërtojë një kompeticion të ri kontinental përpara eliminatoreve të një Europiani, për të dhuruar 4 bileta të drejtpërdrejta për në “Euro 2020”.
GRUPET ELIMINATORE
Rregullorja nënvizon gjithashtu se ekipet që kanë zbritur një kategori më poshtë në Ligën e Kombeve, si për shembull Gjermania, humbin “kategori” vazoje në shortin që do të hidhet më 2 dhjetor, ndaj duke parë se Italia ndodhet në vazon e parë, nuk përjashtohet që në eliminatoret e ardhshme të ketë një përballje Itali-Gjermani në një prej grupeve që do të kërkojnë të fitojnë një “biletë” për në “Euro 2020”.
Për sa i përket ndarjes së grupeve eliminatore, do të ndahen në një format, i cili do të shohë pesë grupe me nga pesë skuadra dhe pesë grupe të tjera me nga gjashtë skuadra, në të cilat kalojnë direkt dy të kualifikuarat e para të çdo grupi (pra 20 bileta nga kjo fazë, plus katër nga fitueset A, B, C dhe D të Ligës së Kombeve).
Por, kujdes, të gjitha ekipet fituese të Ligës së Kombeve, do të vendosen në grupet eliminatore me nga pesë skuadra, në mënyrë që ato të kenë dy data “pushim” më shumë sesa grupet me gjashtë skuadra, pasi kështu mund të kompletojnë sfidat me eliminim direkt që kërkojnë fitueset e Ligave A, B, C dhe D të turneut të Ligës së Kombeve.
Kriteret e grupeve
Ndarja e kombëtareve sipas grupeve, pra nga e para tek e 55-ta, duke lënë mënjanë ekipet e kualifikuara nga Liga e Kombeve, janë ndarë në varësi të pozicionimit në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve, pikëve të grumbulluara, diferencës së golave, golave të shënuar, etj.
Limitime të shortit
Sivjet UEFA ka vendosur që të vërë edhe limite në përballjen mes 55 skuadrave nëpër grupet eliminatore. E para lidhet me etnitë dhe problemet politike që mund të shkaktojnë si për shembull, Gjibraltar-Spanja, Bosnjë-Kosovë apo edhe Kosovë-Serbi.
Ndërkohë, do të ketë limite që lidhen me motin, për vende ku për shembull temperaturat e periudhës së dimrit ose pranverës mund të jenë të acarta (shembuj Islandë-Finlandë, Ishujt Faroe-Islandë apo Finlandë), por edhe limitime të udhëtimeve të gjata, si për shembull nga Francë-Kazakistan, Azerbajxhan-Islandë, Armeni-Islandë, etj.
Gjithsesi, të gjitha këto “klauzola” do të zgjidhen në shortin e datës 2 dhjetor dhe në rast të këtyre përplasjeve të “paligjshme”, do të jetë një sistem kompjuterik që do të korrigjojë gjithçka. /panorama sport
ma.me