Lëvizja Kombëtare për Lexim(LKL), nismë e Ministrisë së Kulturës, pas Kukësit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, u ndal në Tiranë, me shfaqjen teatrale “Sekreti i Gishtos së Rritur”, dedikuar fëmijëve si frymëzim për të zgjedhur Librat – miq për gjithë jetën.
“T’u lexojmë fëmijëve një libër, çdo natë dhe këta ta fillojmë qysh herët në barkun e nënës. Prej disa kohësh kemi nisur lëvizjen kombëtar për lexim dhe duam që në të gjitha ditët e vitit të fillojnë të mësohen me idenë se libri do të jetë shoku i tyre më i mirë. E them si prind, si mësuese, si ministër, sepse dua shumë që në këtë nismë të na mbështesni të gjithë, pasi vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri të emancipuar”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.
Lëvizja Kombëtare për Lexim ka në fokus fëmijët nga 0-14 vjeç dhe edukimin e leximit që në fëmijëri. Ministria e Kulturës pas dy fushatave sensibilizuese ‘Takohemi për një Libër’, këtë vit do të pasurojë me libra për fëmijë, 12 biblioteka publike dhe 12 biblioteka shkollash në secilin qark të vendit.
Lindita Nikolla tha se Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga ana e saj do të pasurojë bibliotekat e shkollave qendër komunitare, në mbarë vendin, ndërsa në kuadër të Lëvizjes për Lexim, dy Ministret shpallën shkollën e parë Pilot, – shkolla Kosova në Tiranë, që do të nisë programin “Shttt jam duke lexuar” e ndjekur nga 10 shkolla të tjera të kryeqytetit, ku do të zbatohet 15 minuta lexim i detyruar, 1 ditë të javës. “Është një aksion mbarëkombëtar që shënon për sistemin tonë arsimor një komponent të rëndësishëm siç është marrëdhënia me librin dhe dijen që përcjell çdo fletë e lexuar libri”- u shprej Ministrja Nikolla.
Sekreti i Gishtos së rritur” erdhi në skenën e Teatrit të Kukullave, nën interpretimin e drejtorit të QKF-së, Erion Isai dhe 9 aktorëve të vegjël nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në Tiranë, ku secili prej tyre vjen si personazh i dalë nga një libër dhe grish fëmijët që ta lexojnë.
ma.me