Për të dytin vit radhazi, Bashkia e Tiranës dhe shtetasit amerikanë që shërbejnë dhe punojnë në Shqipëri, zgjodhën që festën tradicionale amerikane “Ditën e Falenderimeve”, ta kalojnë në qendrat sociale të Tiranës. Kësaj feste iu bashkua edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili i së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të ABI Bank, Andi Ballta dhe kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, i shërbyen një drekë festive njerëzve në nevojë që frekuentojnë qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku” në Kombinat.
Nënkryetari Mazniku falenderoi miqtë amerikanë që këtë ditë vendosën ta kalojnë me njerëzit në nevojë, ndërsa theksoi se kjo ditë është një mundësi e mirë edhe për të qëndruar bashkë.
“Dita e Falenderimeve është një festë e rëndësishme për shtetin amerikan, e cila tashmë ka marrë një dimension global. Për të disatin vit radhazi, bashkë me Dhomën Amerikane të Tregtisë, por edhe me kontributin shumë të vlefshëm të Abi Bank, jemi këtu në një qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës, për të ndarë një vakt dhe qëndruar me njerëzit në nevojë të kësaj zone. Festa e Falenderimeve është një moment shumë i rëndësishëm, njerëzit kanë mundësi të qëndrojnë së bashku, kurse ata që kanë diçka më shumë apo ia kanë dalë të jenë më mirë në shoqëri, ndihmojnë e u gjenden pranë atyre njerëzve që sot janë në nevojë”, tha Mazniku.
Ai shtoi se një qytet bëhet më i mirë kur në të kontribuojnë, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe çdo individ apo sipërmarrje. “Për ne si qytet është shumë e rëndësishme dhe është një moment kyç, kur institucione të rëndësishme, investitorë, shqiptarë e të huaj bëhen pjesë e sipërmarrjes së përbashkët për të pasur një qytet më të mirë. Të gjitha qendrat sociale të bashkisë kanë punuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe janë duke funksionuar në mënyrë gjithnjë e më të strukturuar për të siguruar që çdo njeri, pavarësisht mundësive, të ketë të paktën një vakt të ngrohtë. Në këtë çështje pa dyshim nuk ia dalim dot vetëm, pa mbështetjen shumë bujare të institucioneve të rëndësishme, si Abi Bank, Dhoma Amerikane e Tregtisë apo çdokush tjetër, me qindra e mijëra njerëz që na janë bashkuar gjatë gjithë këtyre periudhave për t’iu gjendur pranë njerëzve”, u shpreh Mazniku.
Duke e cilësuar një ditë të veçantë, Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Craëford, siguroi se kontributi do të vijojë edhe më tej për të ndihmuar njerëzit. “Është një festë familjare amerikane tipike dhe është një nga festat më të preferuara. Unë si kryetar i Dhomës Amerikane jam shumë i gëzuar që kemi anëtarë si ABI Bank që mund të bashkohemi bashkë me bashkitë dhe të japim kontributin tonë. Është një ditë e veçantë, një festë e veçantë dhe jemi gëzuar që jemi bashkë me ju”, deklaroi Mark Crawford.
Drejtori i Përgjithshëm i ABI Bank, Andi Ballta, vlerësoi Bashkinë e Tiranës për një nismë të tillë duke u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. “Është viti i dytë dhe falenderojmë Bashkinë e Tiranës dhe këtë qendër, drejtuesit e saj shumë energjikë që na dhanë mundësinë që të jemi bashkë me ju këtu. ABI Bank do të vazhdojë të jetë në pararojën e dhënies së ndihmës ndaj komuniteteve në nevojë”, tha Ballta. Miqtë amerikanë dhe përfaqësues të biznesit iu bashkuan gjithashtu nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë, si një tjetër mënyrë për ta bërë qytetin më të mirë dhe më të jetueshëm.
E enjtja e katërt e muajit Nëntor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihet zyrtarisht si Dita e Falenderimeve dhe festohet nga qytetarët amerikanë me familjarët për të falenderuar Zotin, Jetën, Miqtë dhe të Afërmit. /ma.me