Nga Ilir Beqaj*
Buxheti i vitit 2019 përpiqet të adresojë sfidat më të mëdha me të cilat Shqipëria e dekadës së ardhshme do të duhet të përballohet.
Sfida që mesa duket po kthehen në ekzistenciale për vendin.
Së pari, është demografia.
Shqipëria po plaket dhe po mpaket. Norma e fertilitetit ka rënë në 1,5. Prandaj duke filluar nga viti i ardhëm, çdo fëmijë i lindur në Shqipëri do të shpërblehet me 400, 800 apo 1200 mijë lekë. Janë rreth 20 milionë dollarë që buxheti i 2019 ka në dispozicion për këtë nisëm të parë të politikave në mbështetje të familjeve të reja.
Së dyti, është mjedisi.
Në shumë pjesë të vendit fenomenet natyrore janë jashtë kontrollit, ndërsa administrimi i mbetjeve të ngurta dhe ujrave të përdorura është ende problematik.
Buxheti 2019 financon funksionimin e disa impianteve industrialë të administrimit të mbetjeve të ngurta (Tiranë, Fier, Elbasan – praktikisht rreth gjysma e mbetjeve të ngurta të vendit).
Viti 2019 do të jetë viti i parë i plotë që ambalazhet plastike kanë detyrimin të jenë të riciklueshme.
Viti 2019 do të jetë viti ku automjetet mbi 10 vjeçare nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri.
Viti 2019 do të jetë viti i parë kur do të zbatojmë një politikë fiskale frenuese të përdorimit të produkteve dhe materialeve plastike pavarësisht nga qëllimi i përdorimit të tyre.
Autobuzët elektrikë do të përjashtohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Së treti, është formimi profesional.
Në vitin 2019, fondet e dedikuara pë formimin profesional janë rreth 33 milionë dollarë. Është viti i parë që kalojnë mbi 30 milionë dollarë. Fondet e dedikuara për formimin profesional rriten dy herë më shumë sesa rritja e gjithë buxhetit.
Së katërti, është inovacioni.
Buxheti vijon të mbështesë digjitalizimin, thjeshtëzimin dhe lehtësimin Është bërë shumë brenda vetë qeverisjes në tre – katër vitet e fundit, por tani qeveria duhet të fillojë të analizojë të dhënat e panumurta që administron. Ndërkohë qeveria duhet të shohë edhe ç’bëhet në jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Këtu duhet më shumë se kudo inovacioni. Duhet të mos neglizhojmë faktin që pesha e telekomunikacioneve në GDP është në rënie në vitet e fundit.
Së pesti është punësimi.
Në fakt punësimi është sfidë jo vetëm e dekadës së ardhshme, por edhe e vitit 2019. Prej rreth 20 vitesh për herë të parë kemi një normë papunësie nën 13 %, por për të vajtuar tek norma njëshifrore kemi ende shumë punë.
Buxheti 2019 mbështet fuqishëm investimet që sjellin punësim drejtpërdrejt, por edhe politikë fiskale dhe programe mbështetje për sektorë që sjellin më shumë punësim.
- 2019 është viti i infrastrukturës së transportit. Rugor, Detar dhe Hekurudhor.
Transporti rrugor me gjeografi në të gjithë vendin. Në Veriu e në Jug. Në Lindje e në Perëndim.
- Milot – Balldren
- Rruga e Arbërit
- Burrel – Klos
- Urat në Kukës – Morinë
- Librazhd – Setblevë
- Thumanë – QafëKashar
- Unaza e Tiranës
- Tiranë – Elbasan
- By Pass Fier
- By Pass Vlorë
- Rruga e Lumit të Vlorës
- By Pass Tepelenë
- Orikum – Llogara
- Kardhiq – Delvinë
- Qukës – QafëPlloçë
- Pogradec – Tushemisht
Transporti Hekurudhor
- Linja hekurudhore Fier – Vlorë
- LInja hekurudhore Tiranë – Durrës
Transporti Detar
- Terminali i ri dhe kalata e re në portin e Vlorës
- Thellimi i portit të Durrësit
Transporti Ajror
- Funksionimi i Aeroportit të Kukësit
- Fillimi i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës
Rendita 22 kantiere pune. Ka edhe të tjerë. Të gjithë këto kantiere kanë nevojë për fuqi punëtore. Të kualifikuar e të pakulifikuar.
- Shëndeti i sektorit elektroenergjitik është përmirësuar ndjeshëm.
Edhe falë situatës pozitive hidrometrologjike në gjysmën e parë të vitit, në 2018 Shqipëria pritet të prodhojë rreth 8 TeraWatth energji elektrike e cila është krejtësisht energji e pastër.
Në vitin 2019 pritet të fillojnë funksionimin e plotë HEC-et mbi Devoll. Do të punohet në Kalivaç. Do të fillojnë ndërtimi i mbi 100 MEGA fuqi e instaluar e impianteve të prodhimit të energjisë së rinovueshme diellore. Jo vetëm më shumë punësim e më shumë prodhim vendas energjie elektrike. Ndihmojmë diversifikimin e ofertës vendase prodhuese gjatë vitit, ndihmojmë gjeografinë e gjenerimit të energjisë elektrike.
Megjithatë çfarëdo që të bëjmë në prodhim, përmirësimi i shpërndarjes mbetet sfidë. Humbjet teknike rreth 17 % janë ende shumë para që humbasin (1 % humbje teknike në shpërndarje vlen rreth 5,5 mln euro në vit). Në kushtet e shtrëngesave financiare të Operatorit të Shpërndarjes qeveria duhet të tregohet agresive në shtrirtjen e partneritetit publik – privat në reduktimin e humbjeve teknike.
- Turzimi ka rritje dhe përmirësim të ndjeshëm.
6 milionë turistë në 2018. 1 milionë më shumë se në 2017. Kontratat me operatorët europianë kanë kaluar mbi 100 ditë. Padyshim që këta 1 milionë më shumë turistë janë shërbyer nga më shumë njerëz. Pra, më shumë njerëz kanë punuar.
Qeveria synon në 10 milionë turistë. Që të arrihet duhet që në 2019 të shohemi edhe me mbi 1 milionë turistë karahasuar me 6 milionë të 2018. Prandaj ka një plan pune me 365 masa. Buxheti 2019 mbështet zbatimin e këtyre masave.
- Bujqësia
Megjithë ndryshimet demografike, ekonomike e sociale të 30 viteve të fundit, bujqësia mbetet jo vetëm një degë e rëndësishme e ekonomisë por edhe me potenciale të shfrytëzuara në mënyre modeste.
Viti 2019 do të ofrojë lehtësi fiskale për fermerët shqiptarë.
Përjashtim nga TVSH për imputet bujqësore.
Tatim fitimi 5 % për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.
TVSH 6 % për aktivitetet e agroturizmit.
Në vitin 2019 fermerët shqiptarë do të kenë mundësi të shfrytëzojnë e fondet europiane. Programi IPARD II pranon aplikime duke filluar nga data 30 nëntor.
Por qeveria duhet të fillojë të analizojë efektivitetin e investimeve të kryera dhe politikave të ndërmarra këto 5 vite.
Janë investuar në funksion të vaditjes e kullimit mbi 160 milionë USD, por vetëm në kanalet e larta e të mesme. Nëse nuk kemi arritur ende tek kanalet e ulëta, ndoshta duhet të ndryshojmë qasjen. Ia patëm lënë kanalet e ulëta vetë fermerëve. Por nëse këta të fundit nuk janë në gjendje të ndërhyjnë vetë, ndoshta duhet të frenojmë shtrirjen në sipërfaqe të reja dhe të çojmë fonde për të realizuar edhe kanalet e ulëta.
- Sektori minerar
Në 2018 pritet që Shqipëria të prodhojë 1,2 milionë mineral kromi duke kaluar nivelet e para vitit 1990. Nëse në 2013 sektori ishte në tunel, në 2018, gjatë diksutimeve në komision debati u përqëndrua në balancën midis eksportimit të mineralit dhe përpunimit të mineralit në vend.
Nëse në 2013 sektori ishte i pashpresë, u deshën vetëm 5 vjet që të vijmë në debate se kush është më e mira, eksporti apo përpunimi, për vitet që vijnë.
Prandaj edhe si komision propozojmë që rritja e rentës për mineralin që eksportohet të rritet gradualisht në tri vitet e ardhshme dhe jo menjëherë në 2019 siç propozon qeveria.
Politika fiskale
Janë më shumë se 10 lehtësira fiskale në vitin 2019. Midis tyre më të rëndësishme për mendimin tim janë:
- Tatimi i fitimit nga 15 % do të ulet në 5 % sipërmarrjet me qarkullim vjetor deri 14 milionë lekë.
- Tatimi mbi të ardhurat nga dividenti do të ulet nga 15 % në 8 %.
- Përjashtimi nga TVSH i imputeve bujqësore.
Por në diskutimet e ndryshimeve të ligjeve fiskale u konstatua se :
- Gjysma e ndryshimeve kanë të bëjnë me pamundësinë e administratave fiskale për të përmbushur misionin e tyre. Kështu për akcizën e fishekzjarreve dhe baterive, kështu për prodhimin e materialeve dhe ambalazheve palstike, kështu për sa persona fizike mund të ketë një individ i caktuar
- Infomacioni shoqërues për të mbështetur nismat fiskale ishte i pamjaftueshëm
- Bizneset gjatë diskutimeve në komision kërkuan mosndryshim tëshpeshtë tëregjimeve fiskale
Nuk mund të ketë politikë fiskale efektive pa administrim fiskal efiçient.
Prandaj qeveria duhet të fokusohet në vitet e ardhshme në modernizimin dhe konsolidimin e administrimit fiskal. Projekti i fiskalizimit është një premisë e mire, por jo e mjaftueshme.
Zonja e zotërinj deputetë,
Viti që po mbyllet ka qënë shumë pozitiv për shqiptarët dhe vendin e tyre.
- Mbi 1 miliardë euro Investime të Huaja Direkte
- Mbi 6 milionë vizitorë të huaj
- Mbi 1,2 milionë tonë mineral kromi
- Mbi 8 TWh (terawatth) energji elektrike
Padyshim Shqipëria e 2019 që ky buxhet mbështet është krejt tjetër nga ajo e 2013. Por, qytetarët shqiptarë kërkojnë më shumë, sepse, në fakt, meritojnë më shumë.
*Fjala e deputetit Ilir Beqaj në Kuvendin e Shqipërisë