Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, po i kushtojnë shumë Kosovës, duke i lidhur këtë tre liderë me dështimin në anëtarësimin në Interpol.
Në një njoftim për media, Vetëvendosje ka thënë që “Kuvendi i Republikës dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin e Thaçit në aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë, po ashtu Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë”.
Duke kërkuar dorëheqjen e Thaçit, Pacollit dhe Haradinajt, VV-ja ka thënë se ky do të ishte lajmi që do të gëzonte shumicën e qytetarëve të Kosovës.
Deputetja tjetër e kësaj partie Albulena Haxhiu ka thënë se presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm janë treguar të dobët karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës.
“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu shtoi se “Thaçi e Pacolli, por edhe Haradinaj, duke u treguar të butë e të dobët karshi Serbisë, karshi Vuçiqit, Daçiqit e Radojçiqit, e kanë dobësuar pozitën tonë si shtet kudo, e kanë stërkequr perceptimin mbi neve. Dobësia e butësia karshi Serbisë nuk interpretohen nga askush si bujari a gjenerozitet yni, por si frikë e si padituri e jona” (Koha). (b.an)