Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Gjermani, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Bundestagut gjerman.
Gjatë takimit me z.Manuel Sarrazin, anëtar i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Bundestag dhe për Çështjet Evropiane, u theksua rëndësia e fillimit të negociatave për anëtarësim mes BE-së dhe Shqipërisë dhe hapja e dy kapitujve të parë të Marrëveshjes.
Nga ana e tij z. Sarrazin garantoi palën shqiptare për mbështetjen dhe vlerësimin pozitiv ndaj vendit tonë, dhe se përmbushja e tre çështjeve kryesore që janë: vijimi me sukses i procesit të Vettingut dhe i Reformës në Drejtësi në tërësi, vendosmëria në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe puna e bërë deri më tani për draftin e Reformës Zgjedhore, janë argumente të fortë në favor të Shqipërisë.
Më pas delegacioni zhvilloi një takim me z. Josif Juratoviç nga grupi SPD, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Miqësisë për Europën Juglindore. Z.Juratoviç ndau me palën shqiptare qëndrimin e tij se, sado vendime të vështira të jenë, BE-ja e mban gjithmonë fjalën e dhënë dhe se është shumë e qartë se perspektiva e Shqipërisë dhe e Ballkanit është në Bashkimin Europian. Po punohet që kjo të bëhet realitet. Bashkëpunimi i të gjitha palëve do ta përshpejtonte procesin. Gjithashtu z. Juratoviç vlerësoi ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe shprehu bindjen që institucionet e reja që do të krijohen nga kjo reformë do ta çojnë edhe më përpara luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Një tjetër takim i zhvilluar ishte ai me Frank Schwabe, Kryetari i Grupit Social-Demokrat (SOC) në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), deputet i Bundestagut Gjerman me grupin SPD, ku në fokus ishte ecuria e Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Përfaqësuesit e Shqipërisë e njohën z. Schwabe me rezultatet e arritura nga Task Forca anti-korrupsion e drejtuar nga Ministria e Drejtësisë dhe për rëndësinë e saj në krijimin e një administrate të kualifikuar dhe të standardeve evropiane.
Vizita e sotme në Bundestag u mbyll me takimin me z.Olav Gutting CDU/CSU, anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit Financiar në Bundestag, njëkohësisht anëtar i Bordit të supervizimit të KfW. Pas prezantimit nga pala shqiptare të ecurisë së të gjithë reformave dhe luftës ndaj krimit të organizuar, z. Gutting u shpreh mjaft pozitiv dhe mbështetës. Duke e konsideruar veten mik të Shqipërisë, ai theksoi mbështetjen në rritjen e investimeve gjermane në Shqipëri. “Jam shumë i nderuar për miqtë nga Shqipëria që janë këtu në Bundestagun gjerman.
Mendoj se është e rëndësishme të diskutojmë së bashku, të forcojmë miqësinë gjermano-shqiptare. Dhe për mua është e rëndësishme që të hapet për Shqipërinë rruga drejt Bashkimit Evropian.
Ne mbështesim Shqipërinë kudo që është e mundëshme, politikisht, financiarisht si përshembull KfW me investimet në infrastrukturë. Natyrisht, nëse Shqipëria po bën punën e saj dhe përmbush atë që pritet, jam i bindur që do të shkojmë së bashku drejt një të ardhme të shkëlyer, në Evropë”- u shpreh z. Gutting.