Për arsye sigurie, testi i shumëpërfolur dhe i anuluar për gradën “Komisar” në Policinë e Shtetit u zhvendos në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Këtë të martë, 150 oficerë – nga 480 në total që konkurrojnë për 130 vende vakante, – dhanë provimin në kompjuter, si dhe nën mbikëqyrjen e kamerave të sigurisë.
Pjesa tjetër do të testohet gjatë dy ditëve në vijim, të ndarë në disa grupe, ndërsa oficerët në përfundim të provimit marrin vlerësimin automatik nga kompjuteri të pikëve të grumbulluara. Jashtë kamerave ata thanë se këtë herë, ndryshe nga testi i zhvilluar në Akademinë e Sigurisë nuk pati parregullsi.
Testi i parë u anulua me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, me dyshimet se u kopjua dhe teza kishte dalë më parë. Për këtë rast të paprecedentë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka referuar edhe një kallëzim në Prokurori.
Por, pas testit për “Komisar”, edhe për testin e një grade më të lartë si ajo e “Kryekomisarit” që u zhvillua pak ditë më parë ka pasur ankesa në Sindikatën e Policisë, pasi mënyra e strukturimit të tezës është ndryshuar pa paralajmërim dhe në momentin e fundit.
Konkurset për komisar dhe kryekomisar kishin disa vite që nuk ishin hapur, ndërsa shumë oficerë në këto kushte e kanë përfituar gradën me anë të vendimit të gjykatave.
ma.me