“Republika e Kosovës e ka në prioritet dhe nuk do të tolerohet askush që të abuzojë me pozita zyrtare dhe me paranë publike. Të gjithë ata të cilët kanë mundur apo mund të kryejnë veprime të cilat janë abuzive kundër ligjit, do t’u konfiskohet pasuria e paligjshme”. Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas takimit të përbashkët me ministrin e Financave, Bedri Hamza, ministrin e Drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë Shaip Havolli.
Ai tha se Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme të përfituar në mënyrë jo të arsyetuar, është në fazën e leximit të dytë në Kuvend, dhe sipas tij, do të përfundoë shumë shpejt. Veseli ka siguruar të gjithë qytetarët se askush në Kosovë nuk do të gëzojë pasurinë e përfituar jashtëligjshëm. Madje, kryetari i Kuvendit ka thënë se edhe qytetarët e kanë të njohur se kush janë të korruptuarit në Kosovë.
Veseli: I njohim të gjithë të korruptuarit
“Qytetarët janë lodhur në një masë me termin ‘Lufta kundër korrupsionit’, ‘lufta kundër korrupsionit’ don rezultate. Do të ketë rezultate, të jeni të sigurt, por na duhet edhe ndihma e tyre. I njohin ata të cilët janë të korruptuar. Nga i bënë gjithë atë pasuri, të gjithë ato shtëpi, të gjithë ato makina, nga i bënë të gjithë ato gra. Ju po qeshni, por ky është një realitet. Preventoni bashkërisht. Të jeni më tepër të besueshëm ndaj këtij shteti, ku kanë me jetuar fëmijët e juaj dhe të tanët”, tha Veseli. Veseli ka përçuar mesazhin për parandalimin e korrupsionit me veprime konkrete, jo vetëm me deklarata.
“Ne institucionet e Republikës së Kosovës jemi duke bërë maksimumin e përpjekjeve tona që të minimizohet hapësira e abuzimeve dhe keqpërdorimeve me pozitën e zyrtarit të lartë, apo zyrtarit publik, për vet faktin se ne të gjithë paguhemi nga taksat e qytetarëve të vendit tonë. Në të njëjtën kohë dëshiroj të përçoj edhe mesazhin, të cilin tani aktualisht Ministria e Drejtësisë ka një vendosmëri që të shkojmë deri në fund, përveç preventivës, parandalimit në të njëjtën kohë edhe luftimit të fenomeneve të cilat janë korruptive dhe abuzive. Pra, me veprime konkrete, jo me veprime deklarative”, theksoi Veseli.
Edhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri theksoi se të gjithë keqbërësit e parasë publike do të ballafaqohen me ligjet në fuqi. Sipas tij, në Qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion dhe kanë shkaktuar humbje miliona euro.
/b.d