Fiks Fare solli rastin e drejtorit të shumëpunësuar të ISSH Ilir Bajlozit i cili ka një fasoneri, ku punëtorët pranojnë se punojnë në të zezë. Banorët e lagjes ku ndodhet fasoneri në Korcë, tregojnë vendndodhjen e rrobaqepësisë dhe emrin e pronarit, zotit Ilir Bajlozi.
Bashkëpunëtorët e Fiksit shkuan deri ne rrobaqepësi për të pyetur mbi kushtet e punës, dhe përgjegjësja i tha bashkëpunëtores se mund të fillonte punë që nesër, “por siguracionet pas nja dy muajsh do fillojnë të hidhen, edhe atëherë duhet të flas me pronaren” thekson ajo në bisedë.
Ndërkohë bashkëpunëtorët e Fiksit nuk u mjaftuan me aq, por takuan edhe punëtore të rrobaqepësisë . Njëra prej të cilave thotë se ato nuk janë të siguruara dhe punojnë për një rrogë qesharake.
“Pse ti kujton se ne jemi të siguruara? Pa siguracione jemi, marrim 120 mijë lekë (të vjetra) në muaj, unë jam gati ta lë këtë punë” tregon punëtorja.
Një tjetër e rekomandon bashkëpunëtoren të shkojë dhe të flasë me pronaren se ja bën që të qëndrojë pa siguracione nëse asaj nuk i leverdisë.
Por për të kuptuar se a është vërtet drejtori i ISSH-së Korçë pronari i kësaj rrobaqepësie gazetarët iu drejtuan Drejtorisë së Tatimeve , Korçë. Sipas të dhënave të tatimeve pronar i fasonerisë rezultonte z. Dolor Bakalli.
Bashkëpunëtorët e Fiksit shkuan takuan pronarin që i doli emri nga tatimet z.Bakalli dhe në fakt ai pohon se fasonerinë, duke përfshirë ambient dhe pajisjet, ia ka lënë me qira Ilir Bajlozit. Madje pronari i godinës thotë “Prej 3 muajsh ja kam dhënë Ilir Bajlozit, por që do ja marr, pasi kemi patur ca probleme mes ortakësh dhe me pagesat” përfundon ai.
Në këto kushte gazetarët e Fiksit iu drejtuan vetë kreut të ISSH-së Korçë, z. Bajlozi. Në bisedë me gazetaren e Fiks fare ai pranon se është i shumëpunësuar duke renditur punët që bën. “Jam kryetar i Këshillit Bashkiak, jam edhe Drejtor ISSH, punoj dhe tek stacioni sizmiologjik me honorare, pa siguracione” tregon z.Bajlozi. I pyetur për fasonerinë ai nuk pranoi për gazetarët se e administronte ai.
Sipas tij, rrobaqepësia është në pronësi të motrës së tij e cila jeton në Amerikë dhe një ortakeje nga Vlora. “Dolor Bakalli ja ka dhënë motrës sime me qira ndërtesën dhe asetet, firma e tij ka qenë ALTERMAN tani e motrës është FASHION ALBANIA”.
I pyetur se a mund të kishte punonjës të pasiguruar në këtë biznes ai përgjigjet” Në këtë firmë nuk ndodh të ketë punonjës të pasiguruar “. Ndërkohë që në kamerat e fshehta u pa qartë biseda e punonjëseve qe pohonin se ishin të pasiguruara.
Fiks fare u interesua në drejtorinë rajonale të tatimeve të Korçës. Vetë dretori i kësaj drejtorie, konfirmoi për Fiks fare se rrobaqepësia është në emër të Dolor Bakallit dhe ka emrin tregtar “Alterman”.
Sipas tij, ky subjekt ka një detyrim të mbartur qe nga fillimi i vitit 2018 në tatime, për sa i përket nderdhjes së kontributeve për sigurimet shoqërore të punonjësve
Drejtori i ISSH mohoi që fasoneria që menaxhohet nga motra e tij në Amerikë të ketë detyrime të papaguara për sigurimet dhe solli si argument faktin që kjo kompani tashmë ka emër tjetër “Fashion Albania” Fiks Fare u interesua përsëri në drejtorinë e tatimeve për këtë kompani, por nga tatimet morëm përgjigjen se në sistem nuk është e regjistruar asnjë biznes me këtë emër. (TCH)