Një delegacion me gjashtë anëtarë i Komisionit të Venecias do të vijë sot në kryeqytetin shqiptar për t’u njohur me propozimet e opozitës për Vetingun në Politikë. Delegacioni do të drejtohet nga presidentja e nderit të Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka.
Në axhendë janë planifikuar takime me përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës. Anëtarët e grupit që do të vijnë sot në Tiranë do të njihen më konkretisht me propozimin e opozitës, që synon kalimin në sitë të të gjithë të politikanëve.
Kryetari i PD, Basha nga Berati u shpreh dje se Vetingu për Politikanët është vijë e kuqe për opozitën, por pritshmëritë nuk i kishte aspak të larta nga vizita e delegacionit, ndërsa i paralajmëroi se “janë munduar kot që kanë ardhur”.
“Jo trajtim preferencial për politikanët, kërkojmë standardin që Venecia miratoi për prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo është vijë e kuqe për opozitën. Nesër (sot) vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur. Ne s’kërkojmë asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët. Që politikanët e lidhur me krimin të humbasin mandatet. Nuk po kërkojmë të marrim drejtësinë në duart tona. Nuk jemi ne, as prokurorët, as gjyqtarët.
Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie bëri ligj për policët dhe gardistët. Ne do e kishim votuar po të kishin pranuar amendamentin tonë që vetingu i policisë të niste nga Ministri i Brendshëm, por që këta nuk e deshën, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët”, tha Basha
Por si nisi historia e propozimit të PD? Në datë 7 shtator Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një draft me propozimet për Vettingun në Politikë, por në asnjërën nga pikat nuk përmend vettingun për familjarët e politikanëve.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se propozimi do të dërgohet në Komisionin e Venecias për rekomandim pasi dublon reformën në drejtësi, por nëse do të bëhet, shtoi ai, duhet të përfshijë edhe familjarët e politikanëve. Pak javë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci që përmes një letre i kërkoi komisionit mendimin përmes 8 pyetjeve.
Tashmë delegacioni vjen në Tiranë për t’u njohur nga afër me propozimet dhe qëndrimet e palëve politike, ndërsa nisma e opozitës do të shqyrtohet në Komisionin e Venecias në datë 15 dhjetor.
ma.me