Gjirokastra ishte destinacioni i radhës i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro edhe ekipi i kësaj lëvizje dhuruan e lexuan libra për nxënësit e shkollës ‘Urani Rumbo’ dhe bibliotekën e qytetit.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit Kumbaro ftoi nga Gjirokastra, të rriturit shqiptarë që “të peshojnë me përgjegjësi e sinqeritet, se çfarë modele vlerash iu mësojmë fëmijëve, si po i edukojmë dhe sa kujdesemi që të rriten me shembuj të mirë.”
Ministrja kërkoi gjithashtu nga prindërit t’u lexojnë fëmijëve çdo mbrëmje.
“Sa herë të mundeni, jepuni një kujtesë, që do ta mbajnë gjithë jetën me vete- zërin tuaj, që u lexon një përrallë, një ngjarje dhe do të jenë më të mirë, më të zotë, me më shumë besim sesa ne, kur të rriten”, tha Kumbaro.
E veçanta për Gjirokastrën ishte se takimit iu bashkua edhe personazhi i Gishtos, simboli i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ai u interpretuar nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Kukullave Erion Isai. Gishto i LKL-së thërret fëmijët shqiptarë të rriten duke lexuar ” që të mos mbesin lakër nga mendja, ndërsa do të bëhen domosdo lastar nga trupi”.
E shkruar posaçërisht për këtë Lëvizje, shfaqja e Gishtos do të shëtisë në të gjithë vendin, duke bërë pjesë të saj fëmijët e çdo qyteti, si personazhe që dalin nga librat për të grishur kuriozitetin e të vegjëlve që t’i lexojnë.
Erion Isai çeli siparin e Gishtos në Gjirokastër, ndërsa ndalesa e radhës do të jetë me fëmijët e Tiranës, në datë 21 Nëntor, në Teatrin e Kukullave.
/b.d