Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka referuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë një çështje për gjyqtaren Enkelejda Metaliaj Softa, e cila ka marrë vendimin për të pezulluar urdhrin e përbashkët të tij dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për tarifat e përmbaruesve privatë.
Informacionin për këtë proces, kreu i Ministrisë së Financave e ka dhënë përpara dy ditësh, në një mbledhje që ka patur me komisionin parlamentar të ekonomisë. Ahmetaj mësohet të jetë shprehur se vendimi për pezullimin e urdhrit të dy ministrave është “skandaloz” pasi nuk është në tagrin e asnjë gjyqtari që të rrëzojë apo pranojë një vendim që ligji dhe Parlamenti ia ka dhënë si të drejtë ministrave për ta bërë.
Mësohet se ankimimi në KLD për gjyqtaren mbështetet në shkeljen e kompetencave që i jep detyra një gjykatësi, pasi interpretim të ligjit, rrëzim apo pezullim të tij mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.
Po ashtu Ministria e Financave është shprehur se në vendimin e marrë nga Gjykata Administrative e Apelit, janë shkelur qartazi procedurat, pasi vendimi i masës së sigurisë është marrë nga një gjykatës i vetëm e jo nga një trupë gjykuese.
Përplasja mes përmbaruesve, Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë nisi pas pezullimit të vendimit të Gushtit të këtij viti nga Gjykata Administrative e Apelit, masë e cila ulte 2 deri në 4 herë tarifat përmbarimore për ekzekutimin e borxheve të këqija në banka.
Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se dy Ministritë po punojnë që tarifat përmbarimore të ulen edhe më shumë se ato që u vendosën në muajin Gusht.
Çmimet e këtij tregu në çdo vend të Europës dhe rajonit nuk janë më të larta se 2500 Euro për një shërbim, ndërsa në Shqipëri tarifat arrijnë deri në 200 mijë Euro.
Aktualisht ekzekutimi i të gjitha pronave të lëna peng si kredi të këqija po bëhen me çmimet marramendëse të firmosura nga dy ministrat teknikë Helga Vukaj e Gazment Bardhi.
Si mundësi për uljen e këtyre tarifave, qeveria po shqyrton edhe liberalizimin e këtij shërbimi.
/b.d