Mbrëmjen e kësaj të diele, në “San Siro” të Milanos do të zbresin dy prej skuadrave me më shumë trofe në gadishullin e Apenineve, në një ndeshje të mbushur me emocione e që pritet të dhurojë spektakël, mes Milanit dhe Juventusit.
Higuain është rikuperuar, e pavarësisht se nuk është në 100% të formës së tij, ai do të jetë titullar, por mungesat, gjithsesi janë të shumta në kampin kuqezi. Te Juventusi, ndërkohë, Allegri pritet të ulë në stol Leonardo Bonuccin, për t’i evituar këtij të fundit vërshëllimat e tifozëve të Milanit.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Gattuso do të synojnë sot në orën 20:30, në një “San Siro” të tejmbushur, të mposhtin edhe statistikat, pasi historiku i përballjeve të drejtpërdrejta të viteve të fundit flet në favor të Juventusit.
Barazimi i fundit i shënuar mes këtyre dy skuadrave në kampionat daton më 25 shkurtin e vitit 2012, me atë rezultat 1-1 në “San Siro”, që u bë i famshëm për shkak të golit “fantazmë” të Muntarit. Prej asaj kohe, në 12 përplasjet mes tyre në Serie A, 10 ndeshje kanë shkuar për Juventusin dhe vetëm dy për Milanin, me një total prej 20 golash të shënuar dhe 8 të pësuar për formacionin bardhezi. Triumfet e fundit të Milanit datojnë në nëntor të vitit 2012 dhe tetor të vitit 2016, që të dyja fitore me rezultatin minimal 1-0.
Gjithsesi, Gattuso do të kërkojë fitoren në këtë përballje direkte, edhe pse ndaj Juventusit dhe Cristiano Ronaldos, objektivi bëhet edhe më i vështirë.
a.ç