Gjirokastra ka qenë stacioni i radhës i lëvizjes kombëtare për lexim, që këtë vit ka në qendër të saj fëmijët. Një numër librash për fëmijë është dhuruar në Gjirokastër nga Ministria e Kulturës, në kuadër të fushatës “Takohemi për një libër”.
Biblioteka 90-vjeçare e Gjirokastrës ka qenë vendtakimi i pikënisjes së këtij aktiviteti në qytetin e gurtë. Nxënës shkollash kanë interpretuar dhe lexuar pjesë nga disa prej titujve më të njohur të librave për fëmijë.
Ministrja Mirela Kumbaro u ka kthyer përgjigje edhe zërave kritikë, pas statusit më të fundit të saj në rrjetet sociale, në lidhje me këtë fushatë.
“Çdokush që përqesh këtë lëvizje është i humbur në këtë rrugë – luftë për emancipim”, u shpreh ministrja Kumbaro, sipas së cilës nevoja për emancipim është emergjencë kombëtare. “Përtej gjithçkaje që thuhet lart e poshtë, është vullneti ynë për të ngjallur dëshirën për lexim”.
“Takohemi për një libër” është lëvizja kombëtare për lexim, që zhvillohet për të tretin vit radhazi. Gjatë muajit nëntor, i gjithë vendi do të përfshihet në veprimtari të programuara, jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por edhe nga të tjera institucione të artit, kulturës dhe edukimit.
a.ç