Një qendër e re laboratorike e inovacionit ka marrë jetë në Tiranë, ku fëmijët e kryeqytetit mund të mësojnë kurrikulat më të avancuara ndërkombëtare në robotikë, shkencë, teknologji, inxhineri dhe matematikë. Sipas bashkisë, ICTSlab nisi zyrtarisht në shtator rrugëtimin inovativ me fëmijët 7-14 vjeç dhe vjen si një fryt i eksperiencës disa vjeçare të kompanisë ICTSmedia. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur nisma të tilla, të cilat synojnë të pajisin të rinjtë shqiptarë me njohuri digjitale, duke i përgatitur ata për sfidat e shekullit 21.
“Sot bashkia është në gjendjen më të mirë financiare dhe mund të japë subvencione, në formë bursash për fëmijët. Një qytet ka shumë sfida, por njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë; jetojmë edhe me këngë, art, kulturë, muzikë e libra. Por, jetojmë edhe me njohuri dixhitale. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur që këtë vit, një pjesë të buxhetit që i japim organizatave të Shoqërisë Civile, të kalojë në fushën e teknologjisë dixhitale”, tha ai, ndërsa shprehu bindjen se shumë shpejt edhe në Shqipëri do të fillojnë klasat e kodimit, e ngjashme me nismat e ndërmarra në vende si Suedia.
“Nuk do të jetë e largët dita kur, ashtu siç Suedia vendosi të fusë gjuhën e kodimit kompjuterit në klasa e para, ta përqafojmë edhe ne si politikë tonën për klasat e Kodimit, në mënyrë që njohuritë dixhitale t’i fillojmë që me mësimin e ABC-së”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku shprehu bindjen se ashtu si projekti i shkollave komunitare rezultoi një sukses i vërtetë në kryeqytet, edhe kjo nismë do të përqafohet nga të rinjtë. Veliaj shtoi se Tirana mund të mësojë nga më të mirët për t’i kapërcuar më shpejt etapat. “Kur filluam projektin e shkollave komunitare, krejt papritur 62 shkolla sot janë plot me kurse sportive. Shumë njerëz më thoshin: Jemi shumë mbrapa, nuk e kapim dot teknologjinë. Por, sot u pagua ora e 1 miliontë e parkimit me sms në Tiranën tonë. Pra, jemi në fazën kur janë paguar 1 milion orë parkimi me sms ose e thënë ndryshe, 70% e parkimit në Tiranë po bëhet me celular. Kurse vendi nga e kopjuam nismën, Nurenbergu, akoma nuk kanë kapur 40%. Ne sot nuk kemi lekë për tram dhe metro, por mund të kalojmë menjëherë tek autobusët dhe makinat elektrike”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Hapja e dyerve të ICTSlab në Tiranë sjell disa prej kurrikulave më të avancuara ndërkombëtare në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Vënia në praktikë e këtyre njohurive me metodologjitë më moderne të mësimdhënies, do të ndihmojë fëmijët në zhvillimin e aftësive kyçe të zgjidhjes së problemeve, nxitjen e të menduarit kritik dhe kreativ, promovimit të punës në ekip dhe eksplorimet artistike me mjetet më të mira dixhitale.
Zëvendës Ministrja e Arsimit, Besa Shahini foli për mundësinë e zbatimit të kurrikulave të ngjashme edhe në shkollat publike dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me sektorin privat në këtë fushë. Një prej themeluesve të ICTSlab, Kushtrim Shala dha lajmin e rëndësishëm, lançimin e programit të bursave ICTSmedia dhe ndarjen e 10 bursave të plota për fëmijët në nevojë.
ma.me