Gjykata e Tiranës ka vendosur që të lërë në “arrest me burg” 30- vjeçarin Hektor Xheçuka, i cili është arrestuar disa ditë më parë si i dyshuari kryesor për vrasjen e shtetasit Emiljano Boçi. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në muajin janar të këtij viti, por vetëm pas tetë muajsh është bërë i mundur edhe arrestimi i autorit të dyshuar. Megjithatë, Xheçuka ka mbajtur qëndrim mohues për akuzat, duke thënë përmes avokatit të tij se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Por pavarësisht pretendimeve të tij, organi i akuzës në seancën e djeshme mësohet se ka paraqitur prova bindëse që e implikojnë Xheçukën në vrasjen e 32-vjeçarit në zonën e ish-parkut të autobusëve në kryeqytet.
Burime pranë grupit hetimor thonë se Hektor Xheçuka u arrestua vetëm për vrasjen e Emiljano Boçit dhe plagosjen e shokut të tij Melvi Disha, ndërsa prej 10 muajsh, Prokuroria e kryeqytetit e ka mbajtur nën vëzhgim 30-vjeçarin, e njohur dhe me emrin Tori, ku me anë të përgjimeve telefonike dhe ambientale, si dhe me anë të metodave speciale ranë në gjurmët e të riut dhe dolën në përfundimin se ai është personi që ekzekutoi Boçin.
Prokuroria tregohet e rezervuar dhe nuk jepen detaje të tjera nëse Xheçuka e ka ekzekutuar Boçin për llogari të tij apo është i paguar nga persona të tjerë për të kryer këtë vrasje. Por, burimet thonë se Xheçuka dyshohet se është vrasës me pagesë.
HETIMET
Ndërkohë, referuar burimeve, autorësia e 30-vjeçarit për vrasjen në janar është provuar me prova shkencore, ndërsa shtojnë se hetimet janë duke vazhduar edhe për dy persona të tjerë, që dyshohet se kanë bashkëpunuar me të riun në vrasjen e Boçit. Por Xheçuka nuk është i panjohur për autoritetet në vend, pasi edhe më parë ka qenë i dyshuar për një vrasje të mbetur në tentativë, por që nuk është vërtetuar asnjëherë.
Ndërkohë, burimet thonë se mund të jetë përgjegjës edhe për ngjarje të tjera, por për momentin është akuzuar për rastin në fjalë. Referuar burimeve, ka rezultuar se ka komunikime me disa grupe kriminale në vend dhe hetimet janë duke u kryer për të parë nëse ka elemente të veprës penale dhe për këtë Policia shprehet se nuk mund të japë më shumë informacion.
“Për arsye hetimi në funksion të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje, nuk bëhen me dije detaje të tjera”, njoftoi zyrtarisht Policia në fillim të javës. Emiljano Boçi u qëllua për vdekje më 14 janar, teksa lëvizte me të dashurën dhe mikun e tij Melvi Disha, që mbeti i plagosur. Ata kanë qenë duke konsumuar një drekë në rrugën “Shefqet Musaraj” pak minuta para ngjarjes. Pasi kanë mbaruar dhe kur po largoheshin me një “Range Rover”, janë qëlluar me pistoletë pesë herë nga i dyshuari, sipas Prokurorisë. /PANORAMA