Prokurori publik i Romës ka kërkuar këtë të premte një dënim me 10 muaj burg për kryebashkiaken populiste të kryeqytetit italian, Virginia Raggi, mbi akuzat e praktikave korruptive të emërimeve në punë.
Raggi, e cila u bë e para kryebashkiake femër e Romës në vitin 2016 dhe që i përket lëvizjes antiestablishment “5 yjet”, akuzohet se ka bërë deklarata të rreme në lidhje me emërimin e Renato Marra si shefin e turizmit në bashki.
Vëllai i Marras, Raffaele Marra ka qenë më parë kreu i personelit të Bashkisë së Romës, i cili shihej di krahu i djathtë i Raggit dikur, por që tashmë përballet me akuza të veçuara për korrupsion, të cilat i përkasin periudhës para se Raggi të zgjidhej kryebashkiake e Romës.
Hetuesit thonë se kanë prova se, Raffaele Marra fshihet pas emërimit të vëllait të tij. Por, vëllai me ndikim ka kaluar disa muaj në burg tashmë, e përballet me një dënim prej 4 vitesh e gjysmë.
Avokati mbrojtës i Raggit do të ndjekë çështjen e saj të shtunën, ndërsa vendimi pritet në po të njëjtën ditë. Në Itali, gjithsesi, dënimet me më pak se dy vite burgim zakonisht pezullohen.
Por, problemi qëndron se rregullorja e partisë së Raggit (5 yjet) përcakton se çdo anëtar i lëvizjes duhet të japë dorëheqjen nga pozicionet publike, edhe në rastet kur dënohet me afate më të shkurtra kohe, përfshi këtu edhe shkeljen e parë penale.
ma.me