Në një kohë kur presioni ndaj prokurorisë, për të intensifikuar punën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, sa vjen dhe rritet, si nga publiku dhe institucionet e vendit, ashtu dhe nga ndërkombëtarët, Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur duke kërkuar shtim të numrit të personelit.
Sipas kërkesës së bërë në Komisionin e Ligjeve për buxhetin e vitit të ardhshëm, organit të akuzës i nevojiten të paktën 200 vetë personel shtesë për të përballuar punën. Natyrisht që kjo shifër nuk u pranua nga Komisoni, i cili i dha buxhet Prokurorisë së Përgjithshme për vetëm 60 persona shtesë në personel.
Por, sa e ngarkuar është realisht institucioni i akuzës në vend? Prokuroria më e madhe në vend, që përballon më shumë se gjysmën e procedimeve, ka shifra të frikshme të ngarkesës në punë.
Shifra dhe ngarkesa për çdo prokuror që i kalojnë 210 çështjet deri më tani, në ditët e para të muajit nëntor.
Këtyre shifrave, po t’iu shtosh edhe faktin që tanimë, me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale, prokurorët duhet të shkojnë tri herë më shumë në gjykatë për seancat paraprake, rezulton se çdo prokuror duhet të zgjidhë minimalisht dy çështje në ditë.
Një ngarkesë kjo, tej çdo mundësie njerëzore, që sjell për pasojë në rastin më të mirë vonesa në hetim, e në rastin më të keq një dosje të hetuar sa për të kaluar radhën.
ma.me