Në një kohë që ne mundohemi si e si të gjejmë ndonjë talent të ri dhe gërmojmë te Kosova, kjo e fundit nuk e ka problem fare që i largohet Ardian Ismajli dhe përkundrazi, afron të tjerë lojtarë mjaft interesantë për të ardhmen.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka publikuar listën e futbollistëve që do t’i grumbullojë për dy ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve kundër Maltës si mysafire, më 17 nëntor dhe kundër Azerbajxhanit, më 20 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për herë të parë janë ftuar portieri Arijanet Muric dhe mbrojtësi Mirlind Kryeziu. I pari është portieri i Manchester City-t, ku ka filluar të luajë edhe në ndeshje zyrtare dhe Guardiola e ka me sy të mirë. Ndërkaq, Mirlind Kryeziu është duke u aktivizuar rregullisht te FC Zurich në Superligën zvicerane dhe për Kosovën ka hequr dorë nga Zvicra U-21, pjesë e së cilës ishte bërë këtë vit.
Ndërkaq, është kthyer në kombëtare Bersant Celina, por ka mbetur jashtë Bernard Berisha, i cili nuk luan prej kohësh në Rusi.
/b.d