Arta Vorpsi është këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese prej më shumë se një dekade dhe një nga kandidatët për anëtarë të kësaj gjykate. Ajo do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo.
Paralelisht me punën si këshilltare ligjore në Kushtetuese, Vorpsi është edhe lektore e së drejtës kushtetuese si dhe eksperte trajnuese në Shkollën e Magjistraturës. Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me një sërë organizatash në rolin e ekspertes ligjore.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e funksionarëve të drejtësisë që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të Arta Vorpsit nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se këshilltarja Arta Vorpsi nuk kishte asnjë pasuri në vitin 2005, i cili përkon edhe me deklaratën e saj të parë të pasurisë së ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zonjës Vorpsi është 3.1 milionë lekë; e cila ndahet në 2.7 milionë lekë likujditete bankare dhe një automjet me vlerë rreth 457 mijë lekë.
Të ardhurat për periudhën deklaruese 2005-2017 janë 34.3 milionë lekë. Ato kanë si burim pagën në Gjykatën Kushtetuese, të ardhurat nga angazhimi si eksperte, mësimdhënien si dhe pagën e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 13 vitet e deklarimit të zonjës Vorpsi dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.
Vlen për t’u shënuar megjithatë një paqartësi në deklaratën e pasurisë së vitit 2006, ku Znj. Vorpsi deklaron marrjen e një kredie 700 mijë lekë për blerjen e një automjeti, por nuk specifikon llojin e automjetit të blerë dhe çmimin e tij.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017