Kongresmeni amerikan dhe miku i shqiptarëve, Eliot Engel është rizgjedhur pa kundërshtarë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Engel, një demokrat, u rizgjodh të martën si përfaqësues i distriktit të 16 kongresional të Nju Jorkut, që përfshin pjesë të Bronxit dhe kontesë Westchester.
Në një intervistë të kohëve të fundi, ai tha se këto janë ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme në përpjekjet e partisë së tij për të fituar shumicën në Kongres, për t’iu kundërvënë politikave të presidentit republikan, Donald Trump.
“Me shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ne jo vetëm do të jemi në gjendje ta vendosim këtë president përpara përgjegjësisë, por ne mund të çojmë përpara edhe agjendën tonë progresive. Më në fund, ne mund të ngrihemi për kujdesin shëndetësor, ambientin, institucionet tona demokratike, të drejtat e emigrantëve dhe të grave, reduktimin e taksave për shtresën e mesme, etj.”, tha Engel.
Eliot Engel është anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin amerikan dhe me fitoren e demokratëve është ndër kandidatët kryesor për drejtimin e komitetit.
Ai ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe Kosovën dhe nuk ka humbur asnjëherë rastin të shprehë afrimitetin e tij për shqiptarët.
Në mënyrë të veçantë, ai ka punuar jo pak për Pavarësinë e Kosovës dhe madje “Washington Post” ka shkruar vite më parë se kauza e Kosovës është mbajtur gjallë në Uashington falë përpjekjeve të kongresmenit Engel.
Ai ka luftuar spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1999 dhe ka lobuar në Kongres për pavarësinë e saj.
Madje një rrugë në qytetin e Pejës mban emrin e tij dhe Engel ka qenë i pari zyrtar i lartë i huaj që ka folur në Parlamentin e Kosovës./a.ç