Kryeministri Edi Rama teksa ka folur para maturantëve dhe nxënësve theksoi se arsimi në vend ka hyrë në rrugën e duhur.
Duke renditur masat e marra nga qeveria shqiptare për fushën e arsimit, shefi i qeverisë pohoi se ka përfunduar koha e mësuesve, të cilët tregonin para klasës se flamurin kombëtar e ka ngritur Ismail Kadare në vitin 1912.
“Shkolla jo vetëm që nuk po shkon si më parë, por është në një rrugë e re. Duhet kohë për rezultatet, por kjo është rrugë e re. Nuk e di a ka më mësues, të cilët thonin se Ismail Kadare ka ngritur flamurin e pavarësisë në Vlorë. Ne kemi librat e Oksfordit dhe Kembrixhit, këto janë tekstet e nxënësve tanë, të cilët mësojnë si bashkëmoshatarët e tyre”, tha kryeministri.
Gjithashtu shefi i qeverisë u ndal edhe tek drejtshkrimi i gjuhës shqipe, i cili sipas tij, lë shumë për të dëshiruar. Kryeministri Rama nënvizoi se kjo ka ardhur si rezultat i bashkimit në një lëndë të vetme të gjuhës amtare dhe letërsisë.
“Me vjen mirë që arritëm të kthenim gjuhën shqipe siç i takon dhe e përmirësuam. Gjuhën amtare e morën dhe e bashkuam me letërsinë. Pastaj nuk është e rastësishme, por është rezultat dhe sot ne shikojmë pasoja të rënda kudo në shkrimin e saj”, shtoi Rama.
/b.d