Nga Eleana Zhako
Ti vdiqe në 1994. Gjyshi, dhëndri yt, vdiq në 1992. Gjyshja, bija jote, vdiq në 2017. Të tre i përkisnit një fshati të vogël minoritar, ngjitur me “Lazaratin e tmerrshëm”. Ju kujtohet kur gratë e Lazaratit, kokulura, të heshtura e punëtore, kalonin me mushkat e tyre ngarkuar me çaj mali e bimë të tjera, e ne i thërrisnim me nofkën Mika? Asnjëherë s’e mora vesh kuptimin e këtij emri. Ekzistonte një kod i heshtur paqeje mes banorëve të dy fshatrave. Unë u rrita me idenë, që ata flasin një gjuhë te ndryshme nga ne, që ndryshe nga ne janë myslimanë, por që kishte edhe pak të krishterë. Të krishterët lazaratas vinin më lehtë në shtëpitë tona.
Të kujtohet kur të pyeta: Mitera je greke apo shqiptare? Dhe ti me një buzëqeshje të pafajshme më the në greqisht, po ndoshta shqiptare, se jetojmë në Shqipëri. Por më thuaj një fjalë shqip i them. Mirëmëngjes dhe faleminderit, ishin të vetmet fjalë, që dinte. Ah jo, më the pastaj, di dhe ujë, bukë, shtepi (pa ë). Gjysh, e mban mend në përrallat që nxirrje nga mendja jote, sesi personazheve u vije ca emra të çuditshëm, Hysen e emra të tjerë nga burrat e qytetit ku jetoje? Dhe qeshnim të gjithë bashkë.
Ti u rekrutove nga ushtria italiane në Shqipëri, por dezertove, dhe për muaj të tërë strehoheshe te familje të huaja, që mos të të ekzekutonin. Ato familje që të shpëtuan nga vdekja, kanë qenë gjithmonë miq për kokë, shpëtimtarët tanë, që vazhdojmë t’i nderojmë përmes nyjave të fundit që na lidhin me nipërit e mbesat e tyre. Po pse dezertove? – të pyeta. Duhej të isha 10 vjeç.
Por s’mund të vrisja grekë më the, s’mundesha. Atëherë papu nuk kisha dëgjuar fare për Vorio Epirin, nuk e dija që ekzistonte dhe ky emër. Ti më mësove shkronjat e alfabetit grek, të lexoja e të shkruaja greqisht, prindërit e mi s’u desh të merreshin me mua. Vetëm im atë, që më jepte ndonjë libër që gjente në greqisht dhe kështu mund të praktikoja gjuhën e shkruar.
Minoritetet për nga natyra e tyre, janë një fenomen i komplikuar, një bashkësi njerëzish që s’resht kurrë së kërkuari të drejtat që mendon se i takojnë, s’ka rëndësi në këto të drejta janë më pak ose më shumë legjitime në sytë e shumicës. I tillë është rasti, pothuajse i gjithë minoriteteve në vendet ku jetojnë. Janë gjithmonë në kërkim të së drejtave të mohuara, ndryshe nuk mund të përligjet ekzistenca e tyre; ndryshe pushojnë së qeni minoritet me tipare specifike. Të gjitha vendet, që përfshijnë minoritete në trojet e tyre “etnike”, legjitimojnë ekzistencën e tyre kombëtare dhe shtetërore mbi konceptin e autoktonisë, dhe vetvetiu minoritetet, nuk përkojnë me konceptin e tyre të autoktonisë.
Gjithë shtetet kombëtare pretendojnë që minoritetet janë mish i huaj, që duan apo s’duan, duhet të mësohen me ekzistencën e tyre; ndërsa minoritetet, nga ana tjetër, besojnë që arbitrarisht u është paracaktuar një destinim i padëshiruar, pa vullnetin e tyre. Në vetëdijen kombëtare të një shqiptari, ngjan e natyrshme që shqiptarët që jetojnë në shtetet me të cilat kufizohet Shqipëria, të kenë qenë gjithmonë aty, ndërsa minoritetet që ndodhen në territorin shqiptar, të kenë ardhur në periudha të caktuara historike.
Po përqendrohem në rastin e shqiptarëve, pasi shqiptarët a priori konsiderojnë që nacionalizmi është tipar i fqinjëve, i helenizmit, sllavizmit, por jo i shqiptarizmit. Megjithatë, nëse nacionalizmi i fqinjëve ka edhe ngjyrime agresive, që shoqërohet me fuqizimin e ekstremit të djathtë, nacionalizmi i shqiptarëve është shndërruar në element dekorativ të krenarisë kombëtariste. Duket sikur Shqipëria ka si trademark “shqiponjën dykrenare”, flamurin “autochthonous” dhe të kuqen e gjakut. Por në Greqinë e Agimit të Artë, asnjë flamur i Greqisë së Madhe ose Vorio-Epirit nuk zbukuron dyqanet turistike të Greqisë.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dolën në pah dhe identitet e ndryshme, që fshiheshin nën petkun e sistemit të mëparshëm. Ashtu si dhe në vendet e Europës lindore, të nesërmen, njerëzit u zgjuan të shpërbërë, të çorientuar, në kërkim të një boshti të ri unifikues. Minoritarët që emigruan në Greqi, papritmazi kuptuan që nuk dallonin nga emigrantët e tjerë. As gjuha, dhe as malli për Greqinë, nuk mjaftonin që të ndiheshin pjesë e pandashme e atdheut të tyre grek.
Të huajtja nga Greqia, por edhe nga Shqipëria, solli një rikonceptim të identitetit të tyre grek, i cili u ndërtua mbi nevojën për të shkëputur lidhjet me elementin shqiptar. Kjo bëhej më e dukshme te brezat e rinj, të cilët duke mos patur kontakt me gjuhën dhe realitetin shqiptar – në ndryshim nga brezat e mëparshëm që ishin dygjuhësh, minoritarët që shkuan në Greqi në moshë të vogël ose lindën atje, njohin vetëm gjuhën greke – nuk mund të vetëpërcaktoheshin si shqiptarë me origjinë greke, si grekë me nënshtetësi shqiptare, si homogjenë të lindur në Shqipëri ose si greko-shqiptarë.
Kur prezantoheshin si homogjenë, shumë herë kjo provokonte sjellje të stilit, “si shqiptar, si vorio-epirot” ose u thuhej, që kamuflonin origjinën e tyre shqiptare, për t’u hequr si grekë. Për shumë minoritarë, që gjyshërit, etërit apo të afërmit e tyre, qenë burgosur përgjatë komunizmit me akuzën për agjitacion e propagandë greke, kjo ishte si përdhosje e identitetit të tyre. Por nga ana tjetër, me transformimet post-komuniste në Shqipëri dhe luftën e Kosovës, u përforcua dhe retorika kombëtariste, ku minoritarët historikisht trajtohen si çifçinj të përjetshëm, ndërsa shqiptarët si latifondistë të përhershëm.
Në çdo teori krahasuese të marrëdhënieve greko-shqiptare, minoritarët merren si shembull ilustrues sulmi e antisulmi. Në variantin shqiptar, minoriteti grek është një pakicë njerëzish zhurmëmëdhenj e mosmirënjohës, në variantin grek, një zgjatim i politikës së tyre të jashtme dhe peshës morale të së shkuarës. Ndërsa në disa gazeta të djathta greke, minoritarët viktimizohen, duke nxitur frymën antishqiptare, në shumë analiza shqiptare, politikat ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi, krahasohen me politikat e shtetit shqiptar ndaj minoritetit grek në Shqipëri. Këto lloj analizash, nuk përqendrohen në politikat e shtetit grek ndaj emigrantëve, por kanë si strumbullar minoritetin.
Një shqiptar që jeton dhe punon në Greqi prej shumë vitesh, duhet të gëzojë nënshtetësinë greke në bazë të ligjit, jo sepse një minoritar grek gëzon të drejta në Shqipëri, që s’i kanë shqiptarët në Greqi. Teorisë së vjetër greke të Vorio – Epirit, i kundërvihet teoria e Shqipërisë së Madhe, e cila, edhe arvanitasit e Atikës nuk i paraqet si popullsi shtegtare dhe ushtarake, që u vendos atje në shekujt e kaluar, por si pasardhës të pellazgëve, që jetonin në ato vise, më parë dhe se grekët e lashtë; ndërsa minoritetin grek, si shqiptarë të greqizuar.
Sado e çuditshme që të tingëllojë, në periudha të caktuara gjatë viteve ‘2000 në Tiranë, ndodhte që të më pyesnin persona të rastësishëm, përse flisja greqisht me kushërirën time dhe, që duhet të respektoja gjuhën e vendit. Ndërkohë, në Athinë, pavarësisht se s’mund të ndihesha shumë komode, nuk kam ngurruar të flas shqip, edhe kur ndodhte të hasja ndonjë vështrim të vëngër.
Madje, në një farë mënyre më dukej argëtuese dhe më shtohej dëshira për të folur në shqip. Në Greqi, është më e lehtë të ndash nacionalistin nga jo nacionalisti, të majtin nga të djathtin, anarkistin nga nacionalisti. Ndërsa në Shqipëri, këto ndarje ngjasojnë me korridore komunikuese, ku lehtësisht mund të kalosh nga një korridor në tjetrin, në varësi të rrethanave. Njerëzit në Shqipëri akuzojnë grekët për nacionalistë, ndërkohë që vetë vlojnë nga stereotipe nacionaliste.
Në moshën 14-vjeçare, në një kamp fëmijësh në Selanik, një gazetare greke më bëri pyetjen idioteske, që në rast se fillonte lufta Greqi – Shqipëri, cilën anë do zgjidhja. E befasuar nga pyetja, i përgjigjem që s’më pëlqen lufta dhe s’do dija ku të fshihesha. Atëherë akuzoja veten për përgjigje të mefshtë, burracake, as mish as peshk, por pas kaq vitesh, të gjithë atyre grekëve dhe shqiptarëve, që i shikojnë njerëzit si ushtarë të njërit apo tjetrit atdhe, do u përgjigjesha, njëlloj. Pyetjet militariste rreth një lufte hipotetike, ziejnë në kokat e gjithë atyre të cilët njerëzit që s’i përshtaten konceptit të tyre njëngjyrësh për atdheun i konsiderojnë si “hebrenj” hipotetikë.
Besoj te ai njeriu, në qoshen e rrugës, që kur heq kapelën dhe të përshëndet, të tjerët e shtyjnë dhe e përqeshin.
Dhe bashkë me të, lartësohem dhe unë.
Besoj te zbuluesit e mëdhenj, te poetët, që me një gjest, arrijnë të ndryshojnë gjeografinë dhe fatet e shkruara.
(Tassos Leivaditis)